Lajme Shqip Tuesday, 10 September 2013 10:57

Prishtinë- RTK ka publikuar dokumentin zyrtar të marrëveshjeve të arritura në Bruksel për telekomin dhe energjinë, një natë më pare.

Në marrëveshjen për telekomin në këtë dokument thuhet:

– Në kontestin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja, të dyja palët janë pajtuar që Kosovës t`i ndahet një kod telefonik treshifror nga ITU-ja, në përputhje me standardet, parimet dhe afatet kohore të ITU-së. Të dyja palët u pajtuan se brenda tre muajve në lidhje me këtë proces duhet të gjendet një modalitet i pranuar reciprokisht me lehtësimin e BE-së sipas nevojës.

Qëllimi është që periudha e `migrimit` në lidhje me kodin telefonik duhet të përfundojë deri në janar të 2015-s. (Pas kësaj date, ky kod telefonik do të përdoret nga të gjithë operatorët në Kosovë). Operatorët nga të dyja palët do t`i ulin tarifat në bazë të çmimeve aktuale.

– Rregullatorët e palëve do të pajtohen për marrëveshje teknike për harmonizimin e përdorimit të spektrit për GSM-në dhe sinjaleve televizive, duke përfshirë transmetimet digjitale tokësore, me qëllim të sigurimit të ofrimit të shërbimeve të papenguara reciprokisht të bazuara në parimet e ITU-së dhe shmangien e interferencave të dëmshme ndërmjet shërbimeve. Secila palë zotohet të mos e mbulojë kufirin administrativ të palës tjetër në mënyrë të qëllimshme.

Ndër të tjera, në marrëveshjen për telekomin thuhet se:

– Do të formohet një grup për implementimin, me lehtësimin e BE-së sipas nevojës, në mënyrë që të hartohet një plan i plotë veprimi për zbatimin e marrëveshjes. Pasi marrëveshja e mësipërme të ketë hyrë në fuqi, grupi për zbatim mund të diskutojë me kërkesë të ndonjërës palë, çfarëdo çështje tjetër që mund të lidhet me këtë marrëveshje. Procesi i zbatimit të plotë do të fillojë pas pranimit me shkrim të planit të veprimit.

Ndërsa te marrëveshja për energjinë, palët janë pajtuar si në vijim:

– Të dyja palët e konfirmojnë zotimin e tyre për t`i përmbushur të gjitha detyrimet sipas Traktatit të Komunitetit për Energjinë dhe për zbatimin e legjislacionit të BE-së për energjinë. Këto aranzhime janë në përputhje të plotë me të dyja këto ligje.

KOSTT-i dhe EMS-i do të nënshkruajnë një marrëveshje dypalëshe të operimit brenda 3 muajve, duke vendosur dhe rregulluar marrëdhëniet e ndërsjella si dy operatorë të sistemit të transmisionit. Si rrjedhojë, marrëveshja e mëhershme e përkohshme mbi shkëmbimin e energjisë dhe marrëveshja e përkohshme teknike do të shfuqizohen.

 

– KOST-i do të bëjë rilidhjen e nënstacionit 110 Kv të Vallaqit. Operatorët e këtij nënstacioni do t`i respektojnë instruksionet nga qendra shpërndarëse e Kosovës.

 

Do të formohet një grup implementues, në mënyrë që të hartohet një plan i plotë veprimi për zbatimin e marrëveshjes së ardhshme. Procesi i plotë i implementimit do të fillojë pas pranimit me shkrim të planit të veprimit.