Lajme Shqip Wednesday, 06 July 2011 13:22

Prishtinë – Dokumenti me tri marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë u është dërguar palëve nga Robert Cooper.

Dokumenti i cili përmban marrëveshjet e arritura të shtunën në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, tashmë ka arritur në adresat e kryesuesve të delegacioneve, por që ende nuk është publikuar. Zëdhënësi i zëvendëskryeministres Tahiri, Visar Xani i konfirmoi pranimin e  dokumentit, por tha se ende nuk është vendosur se si do të procedohet më tutje.

Detaje të dokumentit, të cilin lehtësuesi i dialogut Robert Cooper e quan “Konkluzionet e Kryesuesit”, i ka publikuar Gazeta Ekxpress. Sipas gazetës,  për Lëvizjen e Lirë, në dokumet thuhet se qytetarët e të dyja palëve duhet të kenë mundësi që të udhëtojnë lirshëm brenda ose përmes territorit të njëra-tjetrës me letërnjoftime, ndërsa në referimin për qytetarë në dokument, përdoret fjala angleze “residents”, që e ka kuptimin banorë me vendbanim të përhershëm, kurse për kufirin, krahas fjalës kufi, përdoret edhe shprehja kufi administrativ. Më tutje sqarohet se palët mund të zbatojnë një sistem ku letërnjoftimet shoqërohen nga dokumente me shkrim për hyrje-dalje, që do të shkruhet në gjuhë neutrale. Gjithashtu, nëse Serbia aplikon dokumente përcjellëse për letërnjoftime dhe pasaporta kosovare, këtë mund ta aplikojë edhe Kosova për qytetarët serb.