Lajme Shqip Thursday, 18 August 2011 19:37

Beograd – Ndezet Serbia. Partia e Koshtunicës reagon ndaj dosjeve të publikuara nga Portali LajmeShqip.com. Nuk sjellë argumente, por i quan “të pavërteta” ato që janë thënë për zyrtarin e saj, Marko Jakshiq. E akuzon NATO-n që, sipas saj, “po i njollosë qëllimisht politikanët serbë”.

Ka reaguar të enjten, përmes zëdhënësit të saj, partia e ish-kryeministrit të Serbisë, Vojisllav Koshtunica, ndaj dosjeve të publikuara nga portali LajmeShqip.com, të cilat, sipas një dokumenti konfidencial të NATO-s, e identifikojnë liderin politik të serbëve të veriut të Kosovës dhe anëtarin e kësaj partie, Marko Jakshiq, si pjesë e krimit të organizuar në veri të Kosovës.

Partia e Koshtunicës, duke u përpjekur t’i demantojë faktet e publikuara për zyrtarin e saj, ka akuzuar drejtpërdrejt NATO-n për, siç ka thënë ajo, njollosje të qëllimtë të personalitetit të Marko Jakshiqit dhe të politikanëve serbë në Kosovë.

Ajo i ka quajtur të pavërteta ato që janë publikuar në faqet e portalit dhe që janë transmetuar më pas edhe nga media të shumta në Kosovë dhe në Serbi, duke apeluar te ato që t’i ndalin publikimet e mëtejme.

Portali LajmeShqip.com është duke e publikuar në vazhdimësi dokumentin konfidencial të NATO-s, në të cilin janë të evidentuara veprimtaritë kriminale të mbi 400 përfaqësuesve politikë dhe veprimtarëve serbë në veri të Kosovës. Ata përmenden në këto dosje si kapo-banda të vëreteta, mafiozë të nëntokës dhe prijës të krimit të organizuar në veri të Kosovës, që prej qershorit të vitit 1999.

Marko Jakshiq është veç njëri nga protagonistët e këtij dokumenti, ndërkohë që aty shpaloset ana e errët edhe e liderëve të tjerë të serbëve të veriut, si Milan Ivanoviq, Oliver Ivanoviq, Dushko Ristiq e shumë e shumë të tjerë.

Portali LajmeShqip.com do të vazhdojë me publikimin e këtyre biografive, duke iu referuar dokumentit konfidencial të NATO-s. (LajmeShqip.com)