Lajme Shqip Wednesday, 27 July 2011 15:48

Prishtinë – Tre deputetë të Kuvendit të Kosovës ndodhen nën hetime, kurse zyrtarë të lartë ndërkombëtarë, nga Bashkimi Evropian dhe Ambasada Amerikane në Kosovës, kanë bërë trysni të vazhdueshme te autoritetet vendore në Kosovës që të sqarojnë çështjen e imunitetit të tyre.

Pasi kishin hasur në refuzimin e Kryetarit të Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqit, për të kërkuar sqarimin e imunitetit të depuetevë nga Gjykata Kushtetuese, ata gjetën gatishmërinë e kryeministrit Hashim Thaçi, për ta bërë këtë. Refuzimi i Krasniqit dhe hezitimi fillestar i Thaçit për këtë çështje, kishte acaruar së tepërmi marrëdhëniet me misionin e EULEX-it dhe partnerët relevantë ndërkombëtarë.

Kreu i ekzekutivit, në përputhje me Kushtetutën, i është adresuar Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje dhe ai ka kërkuar sqarime jo vetëm për deputetët, por për të gjithë zyrtarët e lartë të shtetit, ministrat, kryeministrin dhe presidentin, se sa dhe kur ata janë të imunizuar nga ndjekjet penale.

E hëna e parë e shtatorit është dita e fundit kur tri institucionet më të larta shtetërore, Presidenca, Kuvendi dhe Qeveria, do të mund t’i japin përgjigje dhe komente Gjykatës Kushtetuese për çështjet e ngritura në kërkesën e kryeministrit Hashim Thaçi rreth imunitetit të zyrtarëve të lartë shtetërorë. Afati është 45-ditësh dhe ka nisur të rrjedhë nga data 22 korrik, kanë bërë të ditur burime të portalit LajmeShqip.com.

“Gjykata Kushtetuese është e mendimit se do të ishte e dobishme të marrë përgjigjet dhe vërejtjet e presidentit, deputetëve dhe anëtarëve të qeverisë për çështjet e ngritura në kërkesë, për aq sa ato të kenë të bëjnë vetëm me pyetjet e ngritura në raport, me fushëveprimin e secilit zyrtar veç e veç”.

“Gjykata ua ka dhënë mundësinë palëve me të cilat ka të bëjë kjo kërkesë që të përgjigjen në lidhje me të dhe të komentojnë pyetjet e ngritura. Kanë kohë të mjaftueshme ta bëjnë këtë”, ka thënë një gjyqtar i Kushtetueses.

Kohë më parë Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar çështjen e imunitetit për të gjithë bartësit e institucioneve të Kosovës, presidentit, kryeministrit dhe ministrave, e po ashtu edhe deputetëve. Vendimi erdhi pas kërkesës së faktorit ndërkombëtar për t’i bërë interpretim Kushtetutës sa i përket imunitetit të deputetëve, ngaqë tre deputetë ndodhen nën hetime.

Por, kryeministri, më shumë për formalitet, zgjeroi listën e zyrtarëve shtetërorë që duhet sqaruar imunitetin dhe nuk u kufizua vetëm tek anëtarët e Kuvendit. Pavarësisht kësaj, shkresat e ndara për të tri institucionet që ia ka adresuar Kushtetueses, kopje të të cilave i posedon portali, tregojnë se qëllimi ka qenë tek deputetët. Për presidentin dhe për anëtarët e qeverisë, kryeministri ka shtruar vetëm nga një pyetje për sqarim, kurse për deputetët plot tri pyetje.

Nga Kushtetuesja Qeveria don të dijë se “a gëzojnë imunitet deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga ndjekja penale, paditë civile, shkarkimi dhe arrestimi apo ndalimi, për veprimet dhe vendimet e tyre të ndërmarra jashtë fushëveprimit të përgjegjësive të tyre si deputetë”.

Janë edhe dy sqarime tjera që do kryeministri për imunitetin e deputetëve. Njëri ka të bëjë me nenin 75.2 të Kushtetutës, që thotë se “Deputeti i Kuvendit nuk mund të arrestohet dhe as ndalohet përderisa është duke kryer detyrat e tij/saj si deputet i Kuvendit, pa pëlqimin e shumicës së të gjithë deputetëve të Kuvendit”. Kryeministri don të dijë se “a përfshinë kjo kryerje vetëm ato detyra të deputetëve të ndërmarra në përmbushje të mandatit të tyre si deputetë të Kuvendit”.

Sqarimi tjetër i referohet në tërësi nenit 75 të Kushtetutës. Kryeministri ka shtruar pyetjen se “si duhet të zbatohet neni 75 në rastet kur dyshohet për krime të kryera para fillimit të mandatit të një deputeti të Kuvendit apo për krime të kryera gjatë mandatit por që janë jashtë fushëveprimit të përgjegjësive të tyre”.

Për presidentin dhe anëtarët e qeverisë është shtruar një pyetje fare e shkurtër – a gëzojnë ata imunitet “nga ndjekja penale, paditë civile, shkarkimi dhe arrestimi apo ndalimi, për veprimet e ndërmarra jashtë fushëveprimit të përgjegjësive” të tyre si president, respektivisht si anëtarë të qeverisë.

Burime në Gjykatën Kushtetuese kanë bërë të ditur se, gjatë shqyrtimit të të tria lëndëve që do të bëhen ndaras, përgjigjja nuk do të dalë vetëm nga korpusi ligjor që është në dispozicion, Kushtetuta dhe ligjet përkatëse që flasin për imunitetin e zyrtarëve të Presidencës, Kuvendit e Qeverisë. Gjykata ka kërkuar nga institucionet që t’i paraqesin edhe të ashtuquajturat “traveaux preparatoires” (punë përgatitore) për akte ligjore, si dhe dosje të tjera që përfshijnë drafte të ndryshme, procesverbale, por edhe korrespodenca që janë bërë gjatë kohës së hartimit të bazës ligjore që lidhet me imunitetin. (LajmeShqip.com)

Kërkesa për sqarim lidhur me imunitetin e Presidentit:

 

Kërkesa për sqarim lidhur me imunitetin e anëtarëve të Qeverisë:

Kërkesa për sqarim lidhur me imunitetin e deputetëve: