Lajme Shqip Saturday, 02 November 2013 13:36

Tiranë-  Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço sqaron për herë të parë për publikun, disa nga kompetencat që do të ketë struktura e re e Byrosë Kombëtare të hetimit. Ministri Naço bën të ditur se kjo strukturë do jetë si një nukël që do hetojë zyrtarët e lartë të shtetit, por gjithashtu do drejtojë dhe kontrollojë zyrtarët e mesëm dhe të ulët. Por kjo do të sjellë padyshim edhe ndryshimin e ligjit. 

“Byroja Kombëtare e Hetimit do ngrihet si një nukël përgjegjës për të hetuar zyrtarët e lartë të administratës shtetërore, por sigurisht do drejtojë dhe kontrollojë për pjesën e zyrtarëve të mesëm dhe të ulët. Pra do jetë një strukturë që krahas detyrave të tjera që bën për të hetuar, do hetojë si një nukël në rastet e korrupsionit, për të cilët besoj se dhe ju dhe ndërkombëtarët presin më shumë nga kjo mazhorancë”,- deklaroi ministri Naço. 

Pavarësisht se ka mbetur pak kohë deri në datën 4 nëntor, që pritet të fillojë nga puna Gjykata Administrative, ministri Naço shprehet i bindur në fillimin e punës. Madje sipas tij, tashmë janë përcaktuar edhe kancelarët e gjykatave dhe ambientet se ku do të ushtrojnë detyrën këto gjykata. 

“Ministria e Drejtësisë ka marrë të gjitha masat. Janë gjetur ambientet e përshtatshme, janë emëruar personat, kancelarët dhe pjesa e infrastrukturës së nevojshme. Emërimet e gjyqtarëve janë bërë. Ka disa vende vakante në Gjirokastër, Vlorë dhe në Korçë dhe unë jo pa qëllim i kërkova KLD-së të plotësohen këto vende vakante dhe të shikohen me prioritet në mbledhjen e ardhshme, por nuk ka asnjë pengesë që gjykata mos të fillojë punë në datën 4. Unë jam i bindur që gjykata do të fillojë që të funksionojnë që në datën 4”,- u shpreh Naço. 

Ministri Naço flet edhe për paketën e re për ndryshimet në sistemin e drejtësisë, duke nënvizuar se ndryshimi i kompetencës, pra hetimi i rasteve të korrupsionit që do të bëhet nga prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda, do të japë efektet e duhura. “Pra i japim këtij institucioni mundësinë që të reagojë dhe të luftojë realisht korrupsionin”, – theksoi kreu i drejtësisë. /bw/