Lajme Shqip Tuesday, 18 August 2015 12:28

Është e papranueshme që Kosova të pranohet në Interpol. Kështu ka deklaruar drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Djuric

“Kjo është shumë keq duke pasur parasysh se Kosova e pavarur nga Serbia mund të bëhet anëtare e Interpolit,” ka theksuar Djuric për Radio Televizionin e Serbisë.

Sipas tij, kjo për faktin se disa politikanë nga Kosova janë në listën e të kërkuarve të Interpolit.

Përveç kësaj, Djuric ka kërkuar që udhëheqësit të Iniciativës Qytetare SDP, Oliver Ivanovic t’i jepet një mundësi që në mënyrë të barabartë të trajtohet para ligjit shkruan B92.

Ai ka bërë të ditur se mbrëmë ka biseduar me shefin e UNMIK-ut, Farid Zarif, të cilit i ka thënë se Ivanovic sipas gjitha rregullave dhe veprimeve politike, juridike dhe njerëzore, do të duhej të lirohet me 26 gusht, vetëm nëse gjykata e cila është kompetente do të vendosë ndryshe.

“Ne sinqerisht presim që të vendoset në përputhje me ligjin dhe drejtësinë”, ka thënë Djuric për RTS duke kërkuar lirimin e Ivanovic-it.

“Të gjithë ata që e dinë situatën në Kosovë, në Mitrovicë gjatë 15 viteve të fundit dihet mirë se Ivanoviq sa i përket politikës së tij është Gandi i Kosovës, pasi as me vepra apo fjalë nuk është mbrojtur me ndonjë politikë të dhunshme”, ka shtuar ai.

Duke folur për raundin e ri të dialogut në Bruksel, Djuric ka thënë se Serbia po lufton për të normalizuar marrëdhëniet dhe për paqe me shqiptarët etnikë në Kosovë dhe rajonin më gjerë.

“Megjithatë, pala tjetër nuk po bënë shumë për normalizim marrëdhëniesh dhe kjo tashmë është shumë e qartë nga sjellja e përfaqësuesve të tyre,” ka shtuar Djuric.