Lajme Shqip Friday, 25 March 2011 08:26

Prishtinë – Para 12 viteve, në mbrëmjën e 24 marsit, rreth orës 20:00, në Prishtinë dhe në vende të tjera të Kosovës, u ndjenë goditjet e para të sulmeve ajrore të NATO-s mbi pozicionet e forcave serbe, u ndjenë fuqishëm edhe si një shpresë e besim për të ardhmen në një kohë kur kosovarët terrorizoheshin pse e donin e ëndërronin lirinë e demokracinë. Lajmi i ATSH nga Kosova, i dhënë  në atë orë përmes Zvicrës drejt Tiranës me linjë satelitore në kushtet e bllokimit të lidhjeve telefonike dhe të ndërprerjes së dritave, e përshkruante edhe efektin e parë.

“Para goditjeve, automjete të blinduara me trupa serbe dhe armë në gjendje gatishmrie, lëviznin nëpër të gjitha rrugët e shkreta të Prishtinës, që ngjan në qytet fantazmë, pa njeri. Pas goditjeve, këto lëvizje tankesh dhe blindash nuk shihen më.”

Por, nëpër qytet dëgjoheshin breshëri armësh.

Që në natën e parë të bombardimeve të NATO-s forcat serbe filluan hakmarrjen me sulme dhe vrasje në familjet dhe vendbanimet shqiptare. Në Prishtinë e rrëmbyn në shtëpi avokatin e veprimtarin e njohur për të drejtat e liritë njerëzore, Bajram Kelmendin, me dy bijtë e tij, të cilët pastaj i ekzekutuan, dogjën edhe selitë e institucioneve të rëndësishme kosovare e ndërkombëtare, përfshirë zyrat e Presidencës e të institucioneve të Republikës së panjohur ndërkombëtarisht të Kosovës dhe Zyrën e SHBA-ve.

Edhe në qytetin e Mitrovicës, mëngjesi çeli me disa të vrarë – shqiptarë, veprimtarë e intelektualë, të ekzekutuar në shtëpitë e tyre, nga forcat serbe, ndër të cilët ishte edhe poeti Latif Berisha.

Forcat serbe, në gjithë Kosovën, e shtrinë e vazhduan edhe më egërsisht fushatën e spastrimit etnik e gjenocidit, të dëbimit  të shqiptarëve nga Kosova. Numri i të dëbuarve arrinte afër një milion shqiptarë, shumica e  tyre drejt Shqipërisë, si dhe në Maqedoni, e një numër më i vogël në Mal të Zi, e vende tjera. Më shumë se 12 mijë arrinte numri i shqiptarëve të vrarë e masakruar, në më shumë se 5 mijë numri i të zhdukurve, në mëse 400 numri i qyteteve e fshatrave shqiptare të djegura nga forcat serbe…

Por, Kosova dhe populli i saj nuk u zhbënë. Pa kaluar tre muaj, erdhi dita e ikjes së forcave kriminale serbe të Milosheviqit nga Kosova, erdhi Dita e Lirisë dhe Paqes, 12 Qershori 1999, e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë.

Tanket e para të NATO-s hynë në Kosovë në ditën historike të 12 qershorit 1999 në orën 05 e 17 minuta, duke kaluar kufirin me Maqedoninë në Bllacë – Han të Elezit, e të nesërmen nga Shqipëria, duke kaluar kufirin në Morinë-Vërmicë, drejt Prizrenit..

Kosovarët kujtojnë sot se sulmet ajrore të para 12 vjetëve, në mbrojtje të tyre, filluan  me urdhër të sekretarit të atëhershëm të përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana dhe të komanduara nga gjenerali amerikan Uesli Klark.

Më 24 mars 1999, Presidenti i SHBA-ve, Bill Klinton, në momentin e fillimit të fushatës së sulmeve ajrore iu drejtua nga Shtëpia e Bradhë kombit amerikan dhe duke folur për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të Aleancës Veriatlantike  theksonte: “Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodh në Kosovë, është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”.

Bombardimet përfunduan në 10 qershor 1999, pasi një ditë më parë ishte arritur  marrëveshja e Kumanovës mes NATO-s dhe Serbisë për tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të NATO-s në Kosovë.

Kosova, pas hyrjes së trupave të NATO-s – KFOR-it, u administrua nën Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara deri në shpalljen e pavarësisë në 17 shkurtin e vitit 2008, e cila deri tash është njohur nga 75 vende anëtare të OKB-së.

Presidenti kosovar Behgjet Pacolli vlerësoi se fillimi i bombardimeve të NATO-s mbi forcat ushtarake dhe policore serbe, dymbëdhjetë vjet më parë, ishte ngjarje e madhe historike, që i hapi rrugë çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës.

“Fushata e bombardimeve të NATO-s që filloi më 24 mars 1999, ishte një akt i jashtëzakonshëm i humanizmit dhe mesazh i qartë i botës demokratike dërguar regjimit të Millosheviqit, se bota e civilizuar ishte e përcaktuar që me çdo kusht t’i jepej fund krimeve të tmerrshme kundër civilëve shqiptarë anekënd Kosovës”, deklaroi ai.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, në një opinon të botuar dje në shtypin kosovar shkruan se  tash, dymbëdhjetë vjet pasi që NATO-ja veproi, mbetet detyrim i Kosovës dhe i të gjithë kosovarëve që të mbrojnë trashëgiminë e ndërhyrjes së botës në emër të tyre.

“NATO intervenoi në Kosovë pas sulmeve të diktatorit serb Sllobodan Millosheviç kundër një popullate të pambrojtur.  Ne vepruam për të mbrojtur mijëra civilë të pafajshëm nga një ofensivë ushtarake që kërcënonte t’i gllabërojë ata.  Siç e kemi thënë atëherë, ne vepruam për të mbrojtur vlerat tona, për të mbrojtur stabilitetin në Ballkan dhe për të çuar përpara kauzën e paqes.  Ne nuk morëm anën e shqiptarëve apo serbëve; ne mbrojtëm viktimat e pafajshme nga një tiran brutal”, shkruan ai.

“Si përfundim i ndërhyrjes ndërkombëtare, Kosova u bë një shtet i pavarur, i themeluar në zotimin se do të ndërtojë një republikë demokratike e shumetnike”, ka theksuar Dell.

Komandanti i KFOR-it, Gjenerali Erhard Bühler, tha sot se një e ardhme paqësore dhe prosperuse evropiane e Kosovës dhe Ballkanit perëndimor është mesazhi i 24 marsit.

“Është me rëndësi të përkujtojmë të gjitha viktimat e luftës tragjike para dymbëdhjetë vjetësh. Megjithatë mesazhi më i rëndësishëm i kësaj dite është se të gjithë qytetarët e të gjitha etnive, religjionve dhe orgjinave dhe të gjitha institucionet ndërkombëtare duhet të punojnë shumë në mënyrë që ta shtrojnë rrugën dejt një të ardhmeje pozitive, paqësore dhe prosperuese në Evropë”, ka theksuar ai.

Kori i fëmijëve të Prishtinës “Xixëllonjat” do ishin mysafir në shtabin qendror të KFOR-it (Kampin Kosovafilm) për të falenderuar përfaqësuesit ushtarak të të gjitha kombeve kontribuese me trupa për ate që kanë bërë për të gjithë njerëzit në Kosovë, pa marrë parasysh çfarë grupi etnik ose religjioni i përkasin.

25 fëmijë të moshës 6 deri 14 vjeçe, të udhëhequr nga drejtoresha Drita Rudi, performuan një llojshmëri të madhe këngësh në gjuhë të ndryshme, të cilat përfaqësojnë kombet të cilat shërbejnë në misionin e KFOR-it.