Lajme Shqip Sunday, 10 April 2011 08:43

Koshare – Luftëtarët e Koshares kanë qenë ata që shembën muret e një ndarje të padrejtë një shekulloret në mes të Shqipërisë së Kosovës, u tha në manifestimin qendror në Koshare, në kuadër të “Ditëve të Shqipes”, që organizohet çdo vit në shënimin e betejës së lavdishme të luftës së UÇK-së në thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar.
Në këtë manifestim morën pjesë drejtues të institucioneve të Kosovës, familjarë të dëshmorëve dhe struktura udhëheqëse nga qendra dhe ato komunale, si dhe qytetarë të shumtë.
Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë në 12-vjetorin e Betejës Koshares, se lufta çlirimtare e popullit tonë është shquar për drejtësi e pastërti, andaj askush dhe kurrë nuk do të arrijë ta njollosë atë.
“Tani radhën e ka guximi, vendosmëria dhe këmbëngulësia politike e të zgjedhurve tanë, për t’i kultivuar e mbrojtur vlerat çlirimtare nga kushdo që tenton t’i nëpërkëmbë ato”, ka thënë ai.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Islam Lauka ka thënë se luftëtarët e Koshares kanë qenë ata që shemben muret e një ndarje të padrejtë një shekulloret në mes të Shqipërisë së Kosovës, ndërsa deputeti i AAK-së Daut Haradinaj ka thënë se Beteja e Koshares është një nga kapitujt më të fuqishëm të luftës sonë për liri.
Një fjalë rasti ka mbajtur edhe njëri nga protagonistët kryesorë të kësaj lufte Anton Quni.
“Ditët e Shqipes” përfshijnë tri manifestime kryesore shënimin e 9 prillit, datës kur u thye kufiri shqiptaro-shqiptar, 11 prilli, dita e rënies së Heroit të Kombit Agim Ramadani, dhe 19 prilli, dita e rënies së Heroit të Kombit Sali Çeku.
Beteja e Koshares, e njohur si aksioni “Shigjeta” është zhvilluar nën komandën e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë betejë ranë dëshmorë 114 luftëtarë të UÇK-së.