Lajme Shqip Wednesday, 28 August 2013 15:26

Prishtinë – Djali i ish-presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, Bardhyli, është përfshirë në një përleshje me armë zjarri të martën, rreth orës 1:00, në lagjen Taslixhe në Prishtinë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ai, sipas policisë, është sulmuar me armë zjarri nga një veturë në lëvizje në të cilën ndodheshin dy persona të cilëve u është përgjigjur me të shtëna. Në drejtim të sulmuesve, më pas, ka shtënë edhe Bardhyli. Nuk ka të lënduar dhe as të arrestuar.

Incidentin e ka konfirmuar për Kohën Ditore Policia e Kosovës dhe Bardhyl Sejdiu. Zëdhënësi i policisë, Brahim Sadriu ka thënë se të martën rreth ortës 1:00, të mëngjesit në rrugën “Abdyl Ramaj” në Prishtinë ka ndodhur një shkëmbim zjarri.

Sadriu ka thënë se dy persona meshkuj shqiptarë të Kosovës janë paraqitur në stacionin numër 3 dhe kanë deklaruar se dy persona të tjerë kanë shtënë më armë në drejtim të tyre.

“Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ka gjetur dhe ka konfiskuar tri gëzhoja të kalibrit të ndryshëm. Është konsultuar edhe prokurori lidhur me këtë dhe ka thënë se lënda shkon në procedurë të rregullt”, ka thënë ai.

Sipas tij, njëri prej sulmuesve është i njohur për policinë. Djali i madh i ish-presidentit Sejdiu ka thënë për Kohën Ditore përmes telefonit se nuk i njeh sulmuesit dhe se atë natë ka qenë në shoqëri të mikut të tij, Arianit Xhakës.

“Kam qenë me një shok temin në automjet, me Arianit Xhaka afër shtëpisë teme, kanë filluar të shtëna në drejtimin tonë. Kjo ka qenë”, ka thënë Bardhyl Sejdiu.

Ai ka pranuar se i është kundërpërgjigjur dhe se armën e përdorur në këtë incident e ka me leje. Ndërkohë, burime policore i kanë thënë gazetës se incidenti ka ndodhur për shkak të disa mosmarrëveshjeve të mëhershme.

“Djali i ish-presidentit njihet me këtë person. Po punohet për ndriçimin e rastit”, ka thënë ai.