Lajme Shqip Tuesday, 25 March 2014 15:20

Pavarësisht një ceremonie të vogël të zhvilluar në ambientet e Kryesisë së Kuvendit paradite ku stafi kishte përgatitur për Metën, shumë lule dhe një tortë, festa e vërtetë ka nisur në orën 19:30 në ambientet e vilës së çiftit Meta në Gjirin e Lalëzit. Burimet bëjnë të ditur se ftesa e cila i ka shkuar të pranishmëve ka përcaktuar në të dhe një kod veshje tejet ceremonial, nisur nga rëndësia e madhe që i është dhënë kësaj ceremonie nga familja Meta.

Një platformë, tip çadre super gjigande, në pjesën e bregut të detit, mësohet se është ngritur me këtë rast për t’ju lënë mundësinë të ftuarve të kenë mundësinë e zgjedhjes së ambientit për të festuar, brenda apo jashtë vilës bregdetare. Ftesa për këtë ceremoni janë shpërndarë te Kryeministri i vendit, Edi Rama, ministrat, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe deputetë të shumtë pa dallim partish. Ftesa kanë marrë përfaqësues të niveleve të dyta qeverisë, anëtarë të LSI-së, botues dhe drejtues të mediave në vend, gazetarë si dhe shumë të afërm të familjes. Mbrëmjen e djeshme, rruga që të çonte te kompleksi i vilave mes të cilave është edhe ajo e Metës ishte e mbushur me forca të shumta policie që shoqëronin makinat e ardhura nga kryeqyteti me këtë rast. Kjo dhe për shkak të prezencës së lartë të qeverisë në këtë festë. 

Kryeministri Edi Rama u shoqërua nga bashkëshortja e tij, Linda Rama në ceremoni dhe pothuajse të gjithë ministrat e kabinetit “Rama” ishin pjesë e festës së organizuar rreth 40 kilometra larg Tiranës. Por pavarësisht se kryetari i PD-së, Lulzim Basha nuk mori pjesë në ditëlindjen e Metës, si pasojë e një vizite pune në Kosovë, në ceremoni u panë disa deputetë të Partisë Demokratike. Në festë nuk kanë marrë pjesë Lulzim Basha dhe Sali Berisha. Prania e Bashës mund të shihej dhe si një mundësi për arritjen apo kryerjen e ndonjë negociate mes mazhorancës dhe opozitës për çështjen madhore në vend. Disa ditë më parë, Kryeministri Rama i dërgoi një letër kreut të PD-së, Basha, për realizimin e një takimi për çështjen e reformës territoriale. Nga ana tjetër, vetë Basha iu përgjigj kësaj ftese për t’u takuar, duke vënë dhe disa kushte për tryezën mes dy liderëve kryesorë të politikës. Meta, në deklaratat publike, e mbështeti takimin, duke kërkuar që ai të zhvillohej sa më shpejt të jetë e mundur.

Urimet dhe sigurisht dhurata për çiftin Meta dërguan deputetët demokratë Mesila Doda, Majlinda Bregu, Gerti Bogdani, Flamur Noka, Albana Vokshi, Eduard Selami, Genc Ruli dhe disa të tjerë. I pranishëm në këtë ceremoni ishte dhe deputeti i Partisë Republikane, Agron Duka, i cili ka lidhje krushqie me ministrin e Mjedisit, ish-deputetin e LSI-së, Lefter Koka. I pranishëm mësohet se ka qenë dhe Behgjet Paçolli, politikani i njohur kosovar, i cili në tavolinë ka qenë i ulur në krah të Kryeministrit Edi Rama. “Kur mbusha 30 vjeç, doja të festoja, kur na thirri Pandeli Majko në zyrë. Mendova se do të bënte ndonjë surprizë për ditëlindjen. Por ai tha ‘ju kam mbledhur pasi sot NATO do të bombardojë në Kosovë’. Që atëherë nuk kam bërë më përpjekje”, mësohet se deklaruar Meta në fjalën përshëndetëse. Kjo ishte arsyeja pse Meta realizoi këtë festë, pasi sipas tij, u kishte ikur prej kohësh detyrimeve për festat familjare. Kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Meta, është deputet në të gjitha Legjislaturat që më 22 mars 1992 dhe njëkohësisht kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ilir Meta ka lindur në Skrapar, më 24 mars 1969 dhe ka studiuar për Ekonomi Politike pranë Fakultetit të Universitetit të Tiranës, ku ka ndjekur studimet universitare dhe pasuniversitare. Ilir Meta ka shërbyer në pozicionin e Kryeministrit të Shqipërisë, disa poste ministrore dhe ka qenë drejtues dhe pjesëmarrës aktiv në disa komisione parlamentare. Meta ka qenë një ndër figurat kryesore të PS-së, duke e nisur karrierën e tij politike si një ndër themeluesit e FRESSH, duke mbajtur pozicione si kryeministër, zv.kryeministër, ministër. Si pasojë e konfliktit me Nanon, liderin e PS-së, Meta u shkëput, duke krijuar Lëvizjen Socialiste për Integrim, forca politike që tashmë ka ndikim të madh në vend.