Lajme Shqip Sunday, 22 April 2012 15:04

Tiranë – “Të gjithë duhet të veprojnë për të ndryshuar gjërat në lidhje me çështjet e mjedisit dhe për këtë duhet vullnet dhe energji, gjë që njerëzit e këtij vendi e kanë”, tha Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, në një aktivitet të zhvilluar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Tokës, që festohet në 22 prill.

Në rrugën pedonale “Murat Toptani” në Tiranë u çel edhe një panair me materiale të riciklueshme, që i kushtohet sensibilizimit për mbrojtjen e mjedisit, me iniciativën e Bashkisë. Ambasadori Arvizu kërkoi më shumë ndërgjegjësim të qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit,  ndërsa theksoi se në Shqipëri problem mbeten mbetjet.    
“Duhet të rritet ndërgjegjësimi për mbrojtjen e mjedisit. Në Shqipëri problem përbëjnë mbeturinat, por Shqipëria mund të përmirësojë situatën e ndotjes së mjedisit. Njerëzit duhet të bëjnë përpjekje për mbrojtjen e tij”, tha Arvizu.

Ambasadori Arvizu tha se “ju mund të ndryshoni gjërat dhe është mirë që Qeveria, Ministria e Mjedisit të luajë rolin e saj. Gjërat nuk do të ndryshojnë se qeveria do bëjë rolin e saj, por ka për të ndryshuar kur ju dhe bizneset do të thoni gjërat duhet të ndryshojnë”.

Ambasadori amerikan tha se “sa i takon SHBA, ne kemi marrë disa nisma dhe për këtë do të punojmë me disa partnerë ndërkombëtarë dhe partnerë të trupit diplomatik, me shoqërinë civile dhe me industrinë private të biznesit, Këshillin e Ministrave, por dhe me bashkitë e njësitë vendore, në mënyrë që me kalimin e kohës të sjellim ndryshim në jetën e qytetarëve, që të përmirësohet cilësia e jetës së tyre”.

Sa i takon materialeve të riciklueshme, Arvizu tha se “ato janë një alternativë e shkëlqyer dhe e pranueshme. Në SHBA, disa vite më parë u bë një studim dhe u pa që në landfield ishin 40 % e mbetjeve materiale të riciklueshme, si gazeta, letra, materiale metalike apo qelqi, por kjo përqindje është rritur tani”. (LajmeShqip.com)