Lajme Shqip Friday, 27 April 2012 12:39

Prishtinë – Trembëdhjet  vjet pas përfundimit të luftës, ende mbetet i pandriçuar fati i mbi një mijë e 700 personave, pjesa më e madhe e të cilëve shqiptarë të Kosovës.

Prenk Gjetaj, drejtues i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur thotë se komisioni po vazhdon edhe me tutje takimet me institucionet ndërkombëtare dhe vendore për zbardhjen e fatit të përsonave të zhdukur. Ai tha se është vërejtur nëpër komunat se nuk ka qasje të barabartë për këtë çështje, duke saktësuar se udhëheqësit komunalë nuk zhvillojnë kontaktet e nevojshme me familjarët.

Ndërkaq për këtë vit komisioni ka paraparë që të bëhen gërmime në 36 vënde dhe të dihet rreth rastit të Rashkës. Haki Kasumi, drejtues i Këshillit të Shoqatave të Familjarëve të Personave të Pagjetur, thotë se ende mungon serioziteti i institucioneve për të përballuar drejt këtë problem.​​

“Ata në mënyrë deklarative, me fjalë, po thonë se po bëjnë shumë, por realisht, përderisa mungojnë rezultatet dhe përderisa është gjithë kjo pakënaqësi te familjarët, automatikisht nënkuptohet se ata nuk janë kah bëjnë sa duhet dhe sa munden të bëjnë”, thotë ai.

Sot në fshatin Meje të Gjakovës do të mbahet ceremonia  përkujtimore dhe do të vihet gur themeli i memorialit rajonal për përsonat e zhdukur. Janë një mijë e 781 persona që konsiderohen të zhdukur në Kosovë. (LajmeShqip.com)