Lajme Shqip Friday, 30 March 2012 10:51

Prishtinë (PLOTESUAR 30 mars, 15:40) Gjykata sapo ka shpallur të pafajshëm 6 prej të akuzuarve në rastin Kleçka.

Kështu Arben Krasniqi, Behlul Limaj, Refki Mazreku, Sabit Shala, Shaban Shala dhe Besim Shurdha janë shpallur të pafajshëm nga të gjitha pikat e aktakuzës.

Ndërkohë është vendosur që për Fatmir Limaj, Nexhmi Krasniqi, Naser Krasniqi dhe Naser Shala vazhdon gjykimi i tyre për shkak të përgjegjësive të tyre si eprorë.

****************************

PRISHTINE- Gjykata e Qarkut në Prishtinë sot pasdite pritet të shpallë aktgjykimin lidhur me “rastin Kleçka”.  Pritjet e palës mbrojtëse janë që gjykata të shpallë një aktgjykim lirues.

Avokati Tahir Rrecaj, i cili mbron deputetin Fatmir Limaj ka dhënë këtë deklaratë për Radion Evropa e Lirë: “Jemi shumë optimistë se do të ketë një aktgjykim lirues, në mungesë të provave. Jemi optimistë se ai do të jetë aktgjykim lirues për të gjithë të akuzuarit, pra edhe për zotin Limaj, të cilin unë e mbroj në ketë proces gjyqësor”.

Deputeti Fatmir Limaj dhe nëntë ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës akuzohen për krime kundër popullatës civile gjatë luftës më 1999, në atë që njihet si “rasti Kleçka”.

Më 21 mars, trupi gjykues ka marrë vendim që deklaratat dhe ditarët e dëshmitarit kryesor në rast, Agim Zogaj, janë të papranueshme, andaj edhe ka urdhëruar lirimin e të akuzuarve.