Lajme Shqip Wednesday, 03 August 2011 13:02

Tiranë – Greva e urisë e minatorëve të Bulqizës vijon në ditën e 10-të të saj, në pritje të marrëveshjes me kompaninë ACR.

Gjatë mbrëmjes së djeshme, kryebashkiaku i Bulqizës, Roland Keta, zhvilloi një takim me kreun e Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikolla dhe me pas edhe me minatorët grevistë.

Pas këtyre takimeve ai ka deklaruar se do t’i ulë në tavolinë minatorët dhe përfaqësuesit e ACR. Kryebashkiaku Keta ka deklaruar se disa nga pikat e kërkesave të minatorëve janë të zgjidhshme. Po ashtu, ai ka thënë se do të negociohen edhe kërkesat e tjera të minatorëve.

Ndërkohë, nga miniera e Bulqizës bëhet me dije se gjendja shëndetësore e 13 minatorëve të ngujuar 1400 metra nën tokë prej më shumë se një jave, sa vjen e përkeqësohet. Sipas mjekëve, gjendja është kritike sepse minatorët kanë pasur edhe sëmundje të tjera, të cilat kanë përparuar shumë shpejt si pasojë e kushteve të këqija brenda në minierë.

Minatorët e Bulqizës, në proteste prej gati një muaji, kërkojnë rritje të pagave në masën 40 për qind, largimin e drejtorit të deritanishëm të minierës së Bulqizës, përmirësimin e kushteve të sigurisë në punë si dhe uljen e moshës së pensionit.