Lajme Shqip Sunday, 04 March 2012 12:40

“Protokolli i Shtetit nuk ka marrë pjesë në organizimin e aktivitetit të zhvilluar në Lezhë në datën 2 Mars”,- njoftoi sot përmes një deklarate për median Protokolli i Shtetit.

Në deklaratë Protokolli i Shtetit bëri të ditur se “aktiviteti i mbajtur ne Lezhë në 2 mars me rastin e 568-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës ishte ideuar, organizuar dhe menaxhuar nga Bashkia e qytetit Lezhë. Lista e pjesëmarrësve, ftesat dhe lista e folësve janë bërë dhe menaxhuar nga organizatoret dhe nuk ka pasur të bëjë aspak me Protokollin e Shtetit”.

Protokolli i Shtetit vepron mbi bazën e Ceremonialit të Republikës së Shqipërisë dhe në zbatim të tij, mbikëqyr mbarëvajtjen, nga ana protokollare, të aktiviteteve ku marrin pjesë personalitetet më të larta të shtetit shqiptar, përfaqësues të shteteve të tjera dhe trupit diplomatik.

“Në këtë kuadër, Protokolli i Shtetit ishte i pranishëm në aktivitetin e përvjetorit të Besëlidhjes së Lezhës. Po ashtu, Protokolli i Shtetit ka qenë në kontakt me institucionet e Presidentit, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit dhe me trupin diplomatik ne Tirane, lidhur me vendosjen protokollare të personaliteteve sipas hierarkisë shtetërore të përcaktuar në ceremonialin zyrtar”,- thuhet në këtë deklaratë.

Duke shprehur keqardhjen që raste të përsëritura, si përvjetori i Pavarësisë së Kosovës janë përfshirë në diskutime mediatike dhe politike për gjëra që janë jashtë detyrave të tij të përcaktuara me ligj, Protokolli i Shtetit përfundon se “edhe ne rastin e fundit, roli dhe angazhimi i Protokollit të Shtetit ka qenë në përputhje të plotë me Ceremonialin zyrtar të Republikës së Shqipërisë”.