Lajme Shqip Monday, 12 August 2013 15:55

 

Prishtinë – (E plotësuar) Diplomati Urtak Hamiti, i cili ditë më parë ishte arrestuar nga policia kroate në gjendje të dehur, ka raportuar ka raportuar me shkrim dhe gojë gjatë ditës në Komisionin Funksional për grada dhe disiplinë, nuk është dhënë asnjë detaj rreth raportimit të tij. Artan Behrami, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme, ka deklaruar se raporti i Hamitit nuk është për publikun dhe se gjithçka duhet të pritet deri sa të dalin rekomandimet e komisionit, transmeton KTV. Ai tha se komisioni do të shqyrtojë deklaratat e tij, ndërsa ditët në vijim do të vijnë edhe deklaratat policore nga Kroacia. Sipas tij, pas 20 ditësh do të dihet se çka do të ndodhë me Hamitin- do të vazhdojë edhe më tutje të punojë në diplomacinë e Kosovës, apo do të largohet nga ky shërbim.  Ndërkohë duke iu kundërpërgjigjur kreut të LDK-së, Isa Mustafa, i cili ditë më parë kërkoi sqarime shtesë nga Ministria e Jashtme rreth këtij rasti, Behrami tha se çdo reagim politik mund t’i bëjë dëm procesit. Ministria e Jashtme ka thënë se kjo mund të mos jetë hera e fundit që diplomati Hamiti do të gjendet para këtij komisioni. Nëse komisioni për grada dhe disiplinë e sheh të nevojshme do ta ftojë prapë Hamitin, por edhe përfaqësues të tjerë të cilët mund të dinë më shumë apo edhe mund ta kenë parë rastin. Zëvendësambasadori i Kosovës në Kroaci, Urtak Hamiti, qe arrestuar në gjendje të dehur nga policia kroate ditë më parë në Zagreb. Urtak Hamiti tashmë gjendet në Kosovë dhe një vendim i ministrit për të do të vijë vetëm pas rekomandimeve që do të dalin nga komisioni për grada dhe disiplinë i Ministrisë së Jashtme.

 

 

Dipomati “pijanec” përgjigjet sot para komisionit 

 

Urtak Hamiti zv/ambasador i Kosovës në Kroaci pritet që sot të raportojë para një komisioni të Ministrisë së Punëve të Jashtme për skandalin që bëri para disa ditësh.

KTV-ja raportoi se marrja në pyetje e Hamitit nuk do të jetë e hapur për media.

Sipas zëdhënësit të MPJ-së komisioni përbëhet nga sekretari dhe drejtori i përgjithshëm i MPJ-së, një përfaqësues nga Presidenca, e një nga Qeveria, si dhe nga dy ambasadorë.

Hamiti u arrestua në fillim të gushtit dhe më pas ishte liruar pasi që në gjendje të dehur kishte shkaktuar rrëmujë në komunikacion.

Ai kishte terrorizuar njerëzit në rrugët e Zagrebit me sjellje të pakontrolluara me veturën e tij zyrtare. Dëshmitarët thanë për mediat kroate se ai goditi disa vetura që ndodheshin në parking, dhe ata e ndaluan dhe e mbajtën derisa erdhi policia për ta arrestuar.

Urtak Hamiti që është djali i nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës Sabri Hamitit është suspenduar nga pozita e tij në Zagreb për shkak të këtij skandali.

Komisioni i ngritur nga ministri i punëve të jashtme Enver Hoxhaj do të analizojë rrethana që pasuan sjelljet e diplomatit kosovar.