Lajme Shqip Monday, 18 July 2011 12:55

Tiranë – Ambasadori shqiptar në Izrael, Bujar Skendo, i ka paraqitur Letrat Kredenciale Presidentit të Shtetit të Izraelit, Shimon Peres.

Sipas zyrës së shtypit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ceremonia e dorëzimit të Letrave Kredenciale u organizua në mjediset e Presidencës në Jeruzalem.

Pas pranimit të Kredencialeve, në fjalën e tij, ambasadori Bujar Skendo theksoi se marrëdhëniet midis dy vendeve ndodhen në momentin e një ringritjeje të dukshme politiko- ekonomike.

Vizitat e dy ministrave të Jashtëm, Edmond Haxhinasto në Jeruzalem dhe Liberman në Tiranë, brenda një kohe të shkurtër, dhe interesimi i shtuar i investitorëve izraelitë për të investuar kapitalet e tyre në Shqipëri, janë dëshmi e rivitalizimit të këtyre marrëdhënieve, tha Skëndo.

Presidenti Peres shprehu admirimin e tij për progresin e shënuar brenda një kohe të shkurtër nga Shqipëria. Ai mbështeti investitorët izraelitë për interesimin e tyre në Shqipëri, duke sugjeruar si fusha prioritare bujqësinë dhe teknologjinë e lartë.