Lajme Shqip Tuesday, 24 April 2012 08:30

Tiranë – Një dokumentar mbi historinë e diktatorit Enver Hoxha, ka shërbyer si mundësi takimi mes kryeministrit Sali Berisha dhe kandidatit te vetëshpallur për president Fatos Nano.

Kanë qëndruar për me shume se 80 minuta të gjithë në një rresht. Berisha ka qenë i rrethuar nga Nano por dhe nga Jozefina Topalli, tashme emri me i lakuar për tu garuar nga demokratët.

Por nuk ka mbaruar me kaq, Berisha dhe Nano, kanë preferuar të zhvillojnë një takim më të ngushtë, në një nga lokalet e kinema Millenium, ku ndërsa kanë shkëmbyer gotat, kanë ndarë mendime në lidhje me diktatorin Enver Hoxha.

Të paktën këtë kanë konfirmuar pas këtij takimi, duke mos e komentuar si një takim specifik për garën presidenciale. Por a mund të cilësohet kjo si një thyerje akujsh mes tyre kur deklaratat e kryeministrit Berisha, kanë bërë të qartë se është i hapur për të pritur Nanon, por do të kandidojnë për president, një personalitet që do të vijë nga radhët e PD. Vetë Berisha një ditë para vizitës së tij në SHBA, nuk la të kuptohet një ndryshim të qëndrimit, ndërsa Nano, duket se në ditët në vijim do të zhvilloje një tjetër takim, këtë radhë me kryetarin e PS, Edi Rama.

Fatos Nano pati bërë me dije se do e takojë Ramën në fillim të javës që vjen, por ende nuk është bërë e ditur. Deri më tani Nano ka takuar kryetarin e LSI, Ilir Meta dhe ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Të dy kanë shprehur vlerësim për iniciativën e Nanos për tu vetëkandiduar për postin e presidentit.