Lajme Shqip Sunday, 16 September 2012 15:00

Mitrovicë – Mbrëmë është djegur veturën një zyrtari serb të punësuar në Zyrën Administrative të Qeverisë së Kosovës në veri të Mitrovicës , njoftojnë mediat serbe.Konfirmohet se mbrëmë rreth mesnatës persona të panjohur i vunë zjarrin një veture pronë e një nëpunësi serb të Zyrës Administrative të Qeverisë së Kosovës në Mitrovicë.

Drejtoresha e zyrës Adriana Hoxhiq e ka dënuar incidentin, duke theksuar se kjo tregon edhe një herë mungesën e sundimit të ligjit në veri. Ajo për agjencinë serbe Tanjug ka thënë se vetura, është pronë e një nëpunësi të Zyrës Administrative.

Ky është rasti i tretë i djegies së veturave të punëtorëve serbë, të punësuar në këtë zyrë.

Hoxhiq ka kërkuar nga EULEX-i dhe policia e Kosovës që të hetojnë rastin dhe kryerësit e kësaj vepre të dalin para drejtësisë.

Zyra administrative e Qeverisë së Kosovës u hap disa muaj më parë në pjesën veriore të Mitrovicës, përkundër kundërshtimit nga përfaqësuesit politikë të serbëve të kësaj pjese të Kosovës. Në këtë zyrë janë të punësuar më shumë se 50 nëpunës, kryesisht serbë. (LajmeShqip.com)