Lajme Shqip Saturday, 24 November 2012 19:06

TIRANË-Vizita e kryeministrit Nikolla Gruevski në Tiranë u shënua me disa incidente. Qëllimi me vezë i makinës së Gruevskit pasoi dhe djegien e flamujve të Maqedonisë ne sheshe të Tiranës nga persona të panjohur.

Hiqen nga shtyllat dhe digjen flamujt maqedonas të vendosur në sheshet kryesore të Tiranës, me rastin e vizitës së kryeministrit maqedonas, Nikola Gruevski në kryeqytetin shqiptar ditën e djeshme. Në një video të hedhur në Youtube që mban siglën e tifozave kuq e zi, shfaqen persona që zhvasin nga shtyllat flamuj e Republikes së Maqedonisë. Një rast i tillë është në sheshin “Nënë Tereza”, ku duket mjaft mjaft qartë dhe dekori me të cilën është veshur Tirana per 100 vjetorin e pavarësisë. Një person që mban kapuc në kokë, dhe i maskuar në fytyrë për mos t’u identifikuar pasi zhvat flamurin e Maqedonisë i vë zjarrin atij. 

QËLLOI ME VEZË MAKINËN E GRUEVSKIT, I RIU: MBROJTA SHQIPTARËT NË MAQEDONI
Policia ka vënë në pranga sot të riun që qëlloi dje me vezë makinën e kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevski. Në një intervistë të dhënë për TvNews 24 ndërsa kërkohej nga policia, Taulant Capa tha se veprimi i djeshëm ishte një formë reagimi ndaj cënimit të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.

“Në mënyrë demokatike dëshmuam zërin tonë për cënimin e të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni që shkelen të ndalet dhuna dhe shqiptarët atje të marrin të drejtat e tyre njerëzore. Veprimi im ka qenë spontan. Ky nuk është incident është veprim demokratik”.

Më tej Capa tregon se ai u largua sepse shumë forca policie iu kundërvunë në cast. 

MJ: DISTANCOHEMI DHE I DËNOJMË AKTET
Ministria e Punëve të Jashtme shpreh keqardhjen lidhur me dy incidentet e fundit që ndodhen në Tiranë dje, gjatë vizitës së Kryeministrit të Maqedonisë në Shqipëri.

Nëpërmjet një deklarate për mediat Ministria e Punëve të Jashtme thekson se distancohet dhe i dënon këto akte, të cilat nuk kontribuojnë në klimën e marrëdhënieve dypalëshe, por as në atmosferën e madhe festive të 100-vjetorit të pavarësisë së vendit.

“Lidhur me këto ngjarje, Ministria e Punëve të Jashtme, siguron se autoritetet përkatëse janë angazhuar për zbardhjen e tyre dhe vendosjen e autorëve përpara ligjit. Ministria e Punëve të Jashtme ashtu si edhe herë të tjera, do të vazhdojë të inkurajojë frymën e dialogut, marrëdhënieve të mira ndër-etnike dhe respektin për simbolet, historinë, gjuhën e kulturën e gjithësecilit vend në kuadër të aspiratave europiane dhe integruese të të gjithë rajonit.”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme. (LajmeShqip.com)