Lajme Shqip Thursday, 05 May 2011 12:38

Dibër: Topi nderon ditën e dëshmorëve

 

Dibër – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, bëri sot homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Peshkopi.

Zyra e shtypit e presidencës bëri të ditur se pas ceremonisë zyrtare solemne dhe ekzekutimit të himnit kombëtar në prani të Truprojes së Nderit, Kreu i Shtetit vendosi një kurorë me lule në nderim të kujtimit të veprës heroike të tyre.

Në qytetin e Peshkopisë, Presidenti u prit nga Prefekti i Dibrës, Genc Sharku, deputeti i zonës, Sherefedin Shehu, autoritetet vendore dhe u takua përzëmërsisht me qytetarë të shumtë, veterane, intelektualë, etj.

Në një prononcim për mediat, Topi vlerësoi veprën e Dëshmorëve që përkujtohen në mbarë Shqipërinë.

“Erdha për ta përkujtuar këtë ditë në Dibër, sepse Dibra si çdo qelizë e tokës shqiptare është një zonë e shquar patriotizmi me vlera të medha historike”, u shpreh Kreu i Shtetit.

Topi shprehu besimin se “gjithçka që ne gëzojmë dhe po ndërtojmë sot drejt rrugës për në Bashkimin Evropian, është ndërtuar mbi një bazament vlerash patriotizmi, që i dedikohet të gjithë dëshmorëve të kombit, të gjithë patriotëve”.

Në përkujtim të Ditës se Dëshmorëve, Presidenti Topi zhvilloi më pas vizita në familjet e dëshmorëve dibranë të rënë për atdheun, tek mbesa e Heroit të Popullit Nazmi Rushiti, familja e Heroit të Popullit Irfan Hajrullahu dhe tek familja e dy vëllezërvë të rënë, Tasim dhe Hamza Shehu.

Kreu i Shtetit bashkëbisedoi me familjarët e tyre, duke përçuar mesazhin se vepra heroike dhe vetëmohuese e dëshmorëve të kombit për lirinë e vendit do të mbesë përherë shembull i simbolit të vlerave më të larta njerëzore e të atdhedashurisë.