Lajme Shqip Tuesday, 05 April 2011 16:42

Strugë – Diaspora shqiptare ka qortuar liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti. Akuzat janë drejtuar drejtpërdrejt nga ana e kryetarit të Lidhjes Shqiptaro- Amerikane (LSHA), Xhevat Sherifi, i cili mes tjerash ka realizuar një takim me kreun e Strugës, Ramiz Merkon, mbrëmjen e të hënës.

Sipas Sherifit, kreu i BDI-së, Ahmeti gjatë tre viteve të fundit nuk ka bërë sa duhet për statusin e shqiptarëve në Maqedoni. Ai ka thënë se këtë qëndrim ia ka transmetuar personalisht edhe Ali Ahmetiti pas takimit që ka pasur me të para disa ditësh.

“Këtë ia përcolla edhen Ahmetit, mirëpo përgjigja e tij ishte se ne aq mundemi, më shumë nuk mundëm të bëjmë. Ne bëjmë përpjekje për bashkim. Të gjitha partitë kanë programet e tyre me të cilën vijnë në pushtet por ka disa pika të caktuara përmes të cilave nuk duhet të kalohet”, ka thënë Sherifi, duke shtuar se  kjo dhe ishte porosia e tyre për të gjitha partitë shqiptare. Sherifi, madje ka thënë se si diasporë po përgatiten për paraqitje në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme parlamentare në vend, duke shtuar se, “ende nuk kanë një qëndrim konkret se a do të paraqiten së bashku me diasporën maqedonase në Amerikë dhe Kanada”.

“Shqiptarët në diasporë përbëjnë shumicën por vlerësoj se edhe diaspora maqedonase duhet të kontribuoj  për vendin e saj. Ky komitet shqiptar do të merret vesh për emërimin e kandidatit të vetëm që do ti përfaqësoj në Parlament. Deri tani nuk kemi diskutuar me pjesën tjetër të diasporës pasi nuk e dinim nëse ligji do të miratohej”, ka thënë më tej kreu i Lidhjes Shqiptaro- amerikane, Xhevat Sherifi.

Ndryshe, përfaqësuesit e lidhjesh Shqiptaro-Amerikane gjatë takimeve që kanë realizuar me liderët e gjitha partive politike të shqiptarëve në Maqedoni kanë sugjeruar ndryshimin e kursit politik dhe të mbajnë më shumë llogari për qytetarët, dhe jo t’i ndajnë në maqedonas dhe shqiptarë.