Lajme Shqip Wednesday, 29 February 2012 18:13

Zyrih – Edhe komuniteti shqiptarë në Zvicër që njihet si Bashkësia e Shqiptarëve të Maqedonisë – Zvicër gjatë një komunikimi për mediat shkruan se “me dhimbje të madhe mori lajmin mbi ekzekutimin që bëri një kriminel institucional i policisë sllavo-maqedonase në Gostivar mbi dy të rinj shqiptarë, Besnik Shehapi dhe Imran Memeti!”

Sipas kësaj bashkësie, “brifingu i shpejtë dhe i pa matur i të ashtuquajturit zëdhënës të MPB Kotevski na bën të kuptojmë se për kriminelin vrasës që tani përgatiten lehtësime gjatë gjykimit të tij, ku thuhet se ka kryer veprën në mbrojtje! Të njëjtin version tani më edhe disa medie sllavo-folëse e paraqesin!”

Në këtë komunikatë thuhet se “dëshirojmë të theksojmë se krimineli ka qenë pjesëtar i policisë sllavo-maqedonase, dhe se ditën e krimit nuk ka qenë në detyrë, por se armën zyrtare e ka pasur me vete! Kjo duhet të verifikohet në instancat më të larta shtetërore, kanë apo nuk kanë të drejtë pjesëtarët e policisë të mbajnë me vete armën zyrtare, kur ata nuk janë në detyrë?”

Reagimi i Lëvizjes ZGJOHU!

Lëvizja Qytetare ZGJOHU! dënon në mënyrën më të ashpër aktin e vrasjes së dy të rinjëve nga Gostivari  nga ana e fqinjit të tyre, polic. ZGJOHU! njëkohësisht shpreh ngushëllime të sinqerta për familjarët dhe miqtë e viktimave duke ndarë dhimbjen me të gjithë ata.

ZGJOHU! është e trishtuar nga ky krim makabër dhe kërkon nga institucionet e shtetit që të ndërmarrin të gjitha masat e duhura që ky person, të vuan dënimin maksimal për krimin me të cilin ka shuar dy jetë dhe ka nxirë ditët e dy familjeve të tëra.

Njëkohësisht, apelojmë deri tek të gjithë qytetarët që mos të biejnë pre e provokimeve të ndryshme dhe keqpërdorimeve të mundshme të kësaj tragjedie që ka prekur thellë të gjithë qytetarët e vendit, por të insistojnë që institucionet e vendit mos të ushtrojnë drejtësi selektive për arsye se vrasësi është polic, por pikërisht për atë arsye të profesionit të tij, të merr dënimin maksimal për vrasje me paramendim.