Lajme Shqip Monday, 20 February 2012 08:30

Prishtinë-Qëndrimi zyrtar i Prishtinës lidhur me përfaqësimin rajonal të Kosovës në nismat rajonale vazhdon të mos jetë i qartë.

Ndryshe nga sa deklaroi një ditë më parë kryeministri Thaçi për një model ku të përfshiheshin Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, bashkë me Deklaratën e shpalljes së pavarësisë dhe mendimin e GJND-së, zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri thekson se 1244-a është e papranueshme për Kosovën.

Madje Tahiri, që është edhe kryenegociatore e Prishtinës në bisedimet me Beogradin deklaron se nuk ka besim që dialogu të rinisë nesër, pasi qëndrimet e palëve janë diametralisht të kundërta.

“Qëndrimi jonë është mëse i qartë, ne kërkojmë që Kosova të paraqitet si shtet i pavarur dhe si Republikë e Kosovës, sepse realiteti që Kosova është njohur nga 88 shtete të botës, pjesa më e madhe e BE-së dhe vendet e rajonit, është një realitet që Serbia duhet ta pranojë.”-ka thënë dje Tahiri në një prononcim për RTK-në.

Sipas saj Serbia vazhdon të insistojë për përfshirjen e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, çka është e papranueshme për Prishtinën, që kërkon që Kosova të përfaqësohet si shtet sovran. (LajmeShqip.com)