Lajme Shqip Thursday, 19 May 2011 10:06

Bruksel – Dje në Bruksel ka përfunduar edhe një raund i ri i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që kësaj radhe zgjati dy ditë. Edita Tahiri, shefe e delegacionit të Kosovës, dhe Borko Stefanoviq, që udhëheq delegacionin e Serbisë, u shprehën se ky ka qenë një nga takimet më përmbajtësore dhe më produktive deri më tani.

Të dyja palët thanë se është arritur një afrim në temat, siç janë: liria e lëvizjes, tregtia dhe komunikacioni.

Edita Tahiri paralajmëroi se është shumë afër arritja e një marrëveshjeje kornizë. Sipas të dyja palëve, nëse do të arrihet një marrëveshje kornizë për çështjet e lartpërmendura, atëherë pritet që ajo marrëveshje t’iu dërgohet dy qeverive për t’u mbështetur.

Sipas burimeve të BE-së, po ashtu thuhet se atmosfera të mërkurën ishte konstruktive dhe pritet që po me këtë frymë edhe të vazhdohet dialogu, mirëpo pala evropiane tash për tash nuk deshi të japë hollësi rreth dialogut të sotëm.

Është paralajmëruar se më vonë gjatë ditës edhe BE-ja, si ndihmuese e këtij dialogu, do të dalë me një deklaratë për këtë.

Edita Tahiri dhe Borko Stefanoviq paralajmëruan se në ditët që vijnë pritet një rol edhe më dinamik i BE-së.

Shefi i delegacionit të Serbisë, Borko Stefanoviq tha se ka pasur mundësi që tashmë të arrihen disa marrëveshje, por për këtë është përgjegjëse edhe pala kosovare, e cila, sipas tij, po insiston në disa çështje që janë të lidhura me referimin ndaj statusit.

“S’duan të dëgjojnë për ndarjen.Nëse sillen në këtë mënyrë për çështjet siç janë librat kadastralë, çfarë do të bëhet kur të vijë në radhë tema e veriut të Kosovës”, u shpreh shefi i delegacionit të Serbisë duke mos sqaruar më shumë.

Gjithashtu, u tha se gjatë takimit të sotëm për diskutime është hapur edhe çështja e të pagjeturve. Pritet që nga mesi i muajit qershor të zhvillohen raundi i ri.