Lajme Shqip Friday, 01 July 2011 15:20

Prishtinë – Kosova dhe Serbia nesër në Bruksel pritet të arrijnë marrëveshje për 6 çështje që tashmë janë diskutuar në takimet paraprake. Bëhet fjalë për lirinë e lëvizjes, tregtinë e lirë, telekomunikacionin, energjinë, dokumentet katastralë dhe ata civilë.

Ekipet e Kosovës e të Serbisë në dialog duhet të kenë rrumbullakuar të gjitha modalitete për temat që tashmë i kanë diskutuar në katër takime e mëparshme në Bruksel. Visar Xani, këshilltar politik i zëvendëskryeministrës Edita Tahiri, tha se nesër në Bruksel, pritet arritja e marrëveshjeve të paralajmëruara.

“Takimi do të mbahet më 2 korrik, ashtu siç është paralajmëruar  dhe përfundimi do të jetë në çështjen e përmbylljes së marrëveshjeve për gjashtë çështje. Bëhet fjalë për marrëveshjen për liri të lëvizjes, tregti të lirë, çështja e komunikacionit,  energjia si dhe dokumentet kadastrale dhe ato civile. Pra, këto janë gjashtë çështjet për të cilat do të synohet një marrëveshje”, ka thënë këshilltari Xani.

“Kosova nuk do të pranojë të diskutohet për tema të tjera, para

se të arrihet pajtimi për këto që tashmë janë diskutuar”, tha Xani.

Ekspertë kosovarë e të huaj kanë punuar deri më tani në përafrimin e këtyre marrëveshjeve dhe përafrimet janë bërë, tha Xani. Pritet të shihet nesër si do të përmbyllet kjo fazë e diskutimeve.

Edhe shefi i ekipit të Serbisë në dialogun me Kosovën, Borislav Stefanoviq, ka paralajmëruar se në takimin e radhës në Bruksel do të arrihen zgjidhje për disa çështje konkrete. Ai ka thënë se zgjidhjet që do të arrihen nuk do t’i pëlqejnë opozitës në Serbi.