Lajme Shqip Friday, 10 May 2013 15:03

Prishtinë – Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, ka pritur një delegacion të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Malit të Zi, të udhëhequr nga sekretari i Shtetit, ambasadori Vladimir Radulovic. Zëvendësministri Selimi ka njoftuar ambasadorin Radulovic për mbarëvajtjen e procesit të dialogut me Serbinë dhe rezultatet e këtij dialogu si dhe sfidat që mbesin përpara në implementim. 

Zëvendësministri po ashtu ka njoftuar për intencën e Ministrisë së Jashtme për përkrahje të iniciativës së krijimit të një forumi permanent për thellimin e miqësisë Kosovë–Mal të Zi, që do ta mbante emrin e poetit kosovaro-malazias Radovan Zogovic.
Zëvendësministri Selimi deklaroi se “Kosova dhe Mali i Zi janë fqinjë të mirë dhe do ta thellojnë bashkëpunimin e tyre në kontekst të standardeve më të larta evropiane. Shqiptarët në Mal të Zi janë ura lidhëse, por si në fushën e ekonomisë, ashtu edhe infrastrukturë dhe bashkëpunim politik ka hapësire për bashkëpunim edhe më të thellë”. 
Selimi po ashtu bashkëbisedoi me ambasadorin Radulovic për marrëveshjet që do të nënshkruhen ndërmjet dy shteteve në fushat e ndryshme të ekonomisë, bashkëpunimit kulturor, shkëmbimeve akademike dhe bashkëpunimit ndërmjet Akademive Diplomatike të dy shteteve.
Ambasadori Radulovic ka përshëndetur rezultatet e dialogut me Serbinë, duke konstatuar se kjo përbën një njohje të realitetit në Ballkan dhe do të ndihmon tërë Ballkanin në proceset e integrimeve evropiane.