Prishtinë- Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në bisedimet teknike Kosovë-Serbi në Bruksel, Robert Cooper, do të vizitojë sot Prishtinën, ku do të takohet me udhëheqësen kosovare të dialogut, zv/kryeministren Edita Tahiri.
Lajmi bëhet i ditur nga burime zyrtare të qeverisë së Kosovës. Javën e kaluar, zv/kryeministrja Tahiri zhvilloi një bisedë telefonike me ndërmjetësin evropian, Robert Cooper në kuadër të përgatitjeve për raundin e ardhshëm të dialogut teknik.
Temat kryesore të bisedës ishin çështja e bashkëpunimit rajonal, situata në zbatimin e marrëveshjeve si dhe procesi i finalizimit të protokollit teknik të marrëveshjes së IBM-it.
Me këtë rast, zv/kryeministrja Tahiri ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për progresin e dialogut teknik, si një mundësi e mirë për t’i zgjidhur çështjet praktike mes dy shteteve, në interes të qytetarëve dhe integrimeve evropiane e euroatlantike.
Lidhur me çështjen e bashkëpunimit rajonal, Tahiri theksoi se Kosova duhet të marrë pjesë si shtet i pavarur dhe sovran, me simbolet e saj shtetërore dhe të jetë nënshkruese e marrëveshjeve rajonale.
Ajo hodhi poshtë propozimet e Serbisë për çfarëdo referencash që nuk përkojnë me realitetin, duke thënë se Rezoluta 1244 është e tejkaluar juridikisht dhe politikisht.
Cooper nga ana e tij, u informua mbi qëndrimet dhe kërkesat e palës së Kosovës dhe premtoi angazhim për të përafruar qëndrimet e palëve për çështjen e bashkëpunimin rajonal.
Ai po ashtu premtoi angazhimin e tij për të përshpejtuar procesin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri më tani. (LajmeShqip.com)