Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 10:48

Prishtinë – Raundi i ri i dialogut, i treti me radhë, midis Kosovës e Serbisë do të mbahet nga fundi i kësaj jave, me gjasë të premten, kanë konfirmuar nga selia e administratës evropiane.

Shefi i ekipit serb, Borko Stefanoviq, thotë se kësaj radhe nuk do të ketë aq shumë “tema të reja”, por, sipas tij, vëmendja do të fokusohet mbi ato tema të cilat tashmë ndodhen mbi tryezë.

Stefanoviq ka deklaruar në Beograd se dialogut me ekipin e Pishtinës eventualisht mund t’i shtohet edhe tema e lirisë së lëvizjes.

Stefanoviq thotë se “kryesimi me CEFTA-n dhe çështja e trafikut ajror janë hequr nga rendi i ditës, sepse, sipas tij, ky është një “aranzhman në mes të NAT0-s dhe Beogradit”. “Mbeten që të zgjidhen çështjet rreth të cilave jemi afër, siç janë kadastri dhe librat amë, si dhe energjia elektrike dhe telekomunikacioni, por për këto dy temat e fundit ende nuk jemi afër zgjidhjes”. Stefanoviq ka vlerësuar se “negociatat nuk janë as të lehta, as të thjeshta, dhe të gjithë hapat janë të vegjël”.

Ai ka shtuar se me rëndësi është që të vazhdohet me këtë proces, duke u shprehur i sigurt se do të “vijnë rezultatet”.