Lajme Shqip Friday, 03 August 2012 07:37

Presidentja Atifete Jahjaga do të ketë punën më të vështirë para se të nisë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen e problemit të Veriut.

Ajo pritet të takohet me Presidentin e ri të Serbisë, Tomislav Nikolic, më së largu në tetor të këtij viti në një vend europian e jo në Asamblenë e OKB’së.

Burime ndërkombëtare i kanë thënë gazetës Express se Shefja e Politikës së Jashtme të BE’së, Chatherine Ashton, po përgatitet për t`i takuar presidentët e Kosovës dhe Serbisë.

Sikurse Nikolic, edhe Jahjaga është shprehur e gatshme të takohet dhe të flasë për problemet që përballen dy shtetet.

“Ashton dëshiron t`i takojë liderët e dy vendeve në një shtet evropian. Takimi Jahjaga – Nikolic nuk do të ndodh në New York në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së”, ka thënë diplomati i BE’së në kushte anonimiteti.