Lajme Shqip Wednesday, 30 May 2012 23:17

Bruksel – Mbledhja e parë e Dialogut të Strukturuar për Sundimin e Ligjit është mbajtur të mërkurën në Bruksel.

Ky dialog është projektuar për të ndihmuar Kosovën që të adresojë sfidat në fushën e sundimit të ligjit, e cila është shqetësimi kryesor për Ballkanin Perëndimor në tërësi. Zyra e BE-së në Kosovë bën të ditur se në këtë fazë, Komisioni Evropian do të fokusohet në gjyqësor dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, Komisioni ka theksuar rëndësinë e përmirësimit të kapacitetit të Kosovës, që në mënyrë efektive të hetojë dhe ndjekë penalisht rastet e krimit të organizuar ndërkufitar, të trafikut të drogës dhe të qenieve njerëzore. Ky mekanizëm po ashtu ka theksuar nevojën për përpjekje të shtuara në parandalimin, hetimin dhe ndjekjen e korrupsionit.

Në lidhje me gjyqësorin, Komisioni Evropian ka vënë në pah rëndësinë e një gjyqësie efikase dhe të pavarur. Pas progresit të arritur në miratimin e legjislacionit kyç, Kosova është inkurajuar për ndjekjen e reformave gjyqësore, për të forcuar edhe më tej pavarësinë, joanshmërinë dhe transparencën”, deklaroi Komisioni Evropian.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se sundimi i ligjit mbetet prioritet i lartë dhe se është fuqimisht e përkushtuar për të arritur rezultate. (R.EL)