Lajme Shqip Tuesday, 31 January 2012 22:08

Prishtinë-Zv/kryeministrja dhe kryesuese e delegacionit të Kosovës për dialogun teknik me Serbinë, Edita Tahiri, pas takimit sot pasdite me ndërmjetësin e BE-së, Robert Cooper, në një konferencë shtypi sot në mbrëmje, tha se për sa i takon bashkëpunimit rajonal qëndrimet janë shumë larg mes palëve.

“Pozicioni jonë është i qartë, se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe duhet të përfaqësohet si shtet i pavarur si gjithë shtetet e tjera rajonale, me autoritetet e saja, me simbolet shtetërore dhe duhet të jetë nënshkruese e marrëveshjeve rajonale, si dhe duhet të merret parasysh realiteti se Kosova si shtet i pavarur është i njohur nga shumica e vendeve të rajonit, por edhe të BE-së”, tha Tahiri, duke shtuar se “sot Kosova është shtet i njohur ndërkombëtarisht nga pjesa më e fuqishme e botës, që nga SHBA-ja, shtete kryesore të BE-së, të G-20-es, rajonit, etj”.

Ajo tha se qëndrimi i palës serbe mbetet i njëjtë, pra insistojnë në rezolutën 1244, ndërsa shtoi, se ne nuk pranojmë asnjë referencë bazuar në rezolutën 1244.

“Për sa i takon çështjes së protokollit teknik të IBM-it, unë kërkova nga z. Cooper që protokolli teknik të përfundojë dhe të nënshkruhet jo më larg se 10 shkurti, si dhe të nesërmen të fillojë procesi i zbatimit të marrëveshjes për IBM, dhe arsyeja pse kërkova këtë shpejtësi, lidhet me faktin se në fund të muajit shkurt, Këshilli i Ministrave të BE-së do të takohet, dhe me rastin e rishqyrtimit të kërkesës së Serbisë për statusin e kandidatit, duhet të shohë praktikisht se të dyja shtetet kanë filluar ta zbatojnë marrëveshjen e IBM-it”, tha Tahiri.

Por, shtoi ajo, në anën tjetër kërkova që edhe të gjitha marrëveshjet e tjera të zbatohen plotësisht, dhe në veçanti theksova se marrëveshja e lëvizjes së lirë dhe tregtisë së lirë nuk po zbatohet plotësisht nga ana e Serbisë, por vetëm pjesërisht, për faktin se ekzistojnë barrikadat dhe strukturat paralele, kushtet që Këshilli Evropian i ka bërë Serbisë në rrugën drejt Evropës duhet të plotësohen, me fjalë të tjera, Serbia duhet të tërheq ndërhyrjen e saj në punët e brendshme të Republikës së Kosovës dhe praktikisht, duhet të zhbëjë strukturat paralele.

Ajo sqaroi qëndrimin e Republikës së Kosovës për çështjen e bashkëpunimeve rajonale, duke theksuar se “Qeveria e Republikës së Kosovës, dhe as unë si kryenegociatore, nuk kemi bërë asnjë lloj tërheqje as nga Republika, as nga asnjë pozicion që lidhet me vijat e kuqe të Republikës së Kosovës në këtë dialog teknik”. (LajmeShqip.com)