Lajme Shqip Friday, 21 August 2015 08:06

Në vazhdimin e dytë të shkrimeve për universitetin ilegal turk në Prizren, Koha Ditore sot shkruan se zëvendësministri i Arsimit, Usmen Baldzi, dhe ish-nënkryetari i Kuvendit, Enis Kervan, janë dy prej zyrtarëve të lartë kosovarë që kanë përfituar materialisht nga pronarët e Universitetit Evropian, Jalcen Kocak dhe Mehmet Behattin Ozel.

“Koha Ditore” ka dëshmi që zëvendësministri i Arsimit ka marrë të paktën një laptop nga pronarët turq, ndërsa nënkryetari i Kuvendit ka marrë të paktën 1.500 euro para të gatshme pa ndonjë përshkrim se për çfarë arsyeje është paguar.

Lidhje të afërta me drejtuesit e Universitetit turk kishte edhe gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Altay Suroy. Ai ka qenë njëri prej ligjëruesve.

Zëvendësministri kishte lidhje me mashtruesit nga Turqia që kanë përfituar mbi një milion euro nga 120 studentë.

Institucioni që përfaqëson ai kishte obligim që ta mbyllte këtë universitet në Prizren, për shkak se nuk ishte i akredituar. Mirëpo Ministria kishte lejuar studimet për drejtësi një semestër.

Zëvendësministri Usmen Baldzi e pranon se ka marrë një laptop, por mohon se ka qenë korrupsion.

E quan një dhuratë të vogël, ani se dhuratat mbi 50 euro nuk janë të lejueshme. Laptopin nuk e ka deklaruar në Agjencinë Kosovare kundër Korrupsionit. /koha/