Lajme Shqip Tuesday, 23 July 2013 13:04

Durrës- Një grua 40-vjeçare është vënë nën mbrojtjen e policisë sot në orët e para të mëngjesit, pasi bashkëshorti i saj kishte ushtruar dhunë mbi të dhe tentonte ta vriste me armë zjarri.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Koxhas, 12 km larg Durrësit dhe forcat e komisariatit të policisë së Shijakut kanë mundur të arrestojnë bashkëshortin dhunues,bënë të ditur për burime zyrtare nga drejtoria e polcisë së qarkut.

Sipas të njëjtave burime, Asllan Banushi, 43 vjeç, kishte ushtruar dhunë mbi bashkëshorten e tij dhe më pas ishte vënë në ndjekje të saj, duke kërcënuar se do ta vrasë.

Gruaja 40-vjeçare, e cila ishte larguar fshehurazi, ka mundur të njoftojë forcat e policisë, të cilat e kanë marrë nën mbrojtje atë dhe dy fëmijët e saj, të pranishëm në shtëpi gjatë ngjarjes së rëndë të natës së kaluar.

Në banesën e 43-vjeçarit Banushi është gjetur një pistoletë me katër fishekë, si dhe një armë gjahu me disa fishekë të tjerë. Armët janë sekuestruar nga forcat e policisë, ndërsa 43-vjeçari, i cili u arrestua pak orë pas ngjarjes do të përballet me veprat penale të dhunës në familje dhe armëmbajtje pa leje, thanë burimet, shkruan BW. 

Dy ditë më parë forcat e policisë së Durrësit parandaluan një tjetër krim në familje, duke arrestuar një tjetër bashkëshort dhunues, i cili kishte tentuar t’i vërë flakën edhe banesës së përbashkët.