Lajme Shqip Tuesday, 29 November 2011 13:39

Beograd-Statusi në pranverë. Kështu raporton e përditshmja serbe “Novosti”, sipas së cilës përshkallëzimi i dhunës në veri të Kosovës ka reduktuar ndjeshëm shanset e Serbisë për të marrë statusin e vendit kandidat në samitin e 9 dhjetorit.

Gazeta shkruan se mundësitë më të mëdha janë që vendimi të shtyhet për në Mars apo në Prill.

“Duke patur parasysh qëndrimin negativ të Gjermanisë dhe deklaratat e mëparshme të europianëve, statusi pritet të jepet në pranverë”-raporton Novosti.

Gazeta citon ish ambasadorin serb në Berlin, sipas së cilit, zhvillimet e fundit në veri të Kosovës janë në dëm të Beogradit.

“Gjermania e cila është kundërshtarja më e madhe në rrugën europiane të Serbisë, padyshim që nuk do të jetë në favor, duke patur parasysh edhe faktin se dy prej ushtarëve të saj u plagosën një ditë më parë dhe natyrisht edhe kjo do të ndikojë në vendimin e 9-dhjetorit”-ka thënë për Novosti Ognjen Pribicevic, ish ambasadori serb në Berlin.

Gazeta i referohet edhe deklaratës së kancelares gjermane Angela Merkel, e cila gjatë vizitës së saj nëBeogradnë gusht të këtij viti ia bëri të qartë presidentit Tadiç se dy kërkesat kryesore të BE janë vazhdimi i dialogut konstruktiv me Kosovën bashkë me implementimin e marrëveshjeve të arritura nga ky dialog si dhe përmirësimi i marrëdhënieve me Prishtinën.

“Në këtë atmosferë është e vështirë që dialog të vazhdojë, çka është edhe kërkesa kryesore për një vendim pozitiv për marrjen e statusit të vendit kandidat”-ka thënë Vladimir Todoriç, i qendrës për politikë të re të Këshillit të Marrëdhënieve me Jashtë të BE-së.

Edhe pse samiti i BE-së mbahet në 9 dhjetor, vendimi për statusin kandidat të Serbisë pritet të merret disa ditë përpara.

Në 4 dhjetor, ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian do të darkojnë sëbashku për të përgatitur rekomandimin që do ti paraqesin liderëve të BE-së. (LajmeShqip.com)