Lajme Shqip Monday, 12 December 2011 17:40

Tiranë – Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, sugjeroi ndërmarrjen e një politike penale më të ashpër për të goditur dhunën në familje, gjatë një seminari të organizuar sot nga Akademia e Policisë së Shtetit.

Duke folur për luftën kundër dhunës brenda familjes,  ministri Nishani tha se “kemi nevojë për një politikë penale më të ashpër për dhunën në familje, pikë së pari pasi do të rrisë përgjegjësinë e çdo qytetari dhe së dyti, do të ndihmojë maksimalisht autoritetet përgjegjëse në hetimin, investigimin, por edhe penalizimin e veprave të tilla penale”.

“Është e domosdoshme përgjegjshmëria e ekzekutimit të zbatimit të kësaj politike penale nga trupa gjyqësore, që jep drejtësi”, shtoi me tej ministri Nishani.

Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu, i pranishëm në këtë aktivitet, kërkoi marrjen e masave për të ndihmuar viktimat e dhunës në familje, si gratë, po ashtu edhe fëmijët.

Pjesëmarrës në aktivitetin e organizuar në Akademinë e Policisë së Shtetit ishin drejtues të lartë të agjencive ligjzbatuese.