Lajme Shqip Tuesday, 29 November 2011 11:41

Prishtinë-Drejtuesit më të lartë të shtetit të Kosovës kanë dënuar dhunën dhe incidentin e ndodhur dje në veri të Kosovës. Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dënoi sulmin kundër forcave paqeruajtëse të KFOR-it në Jagnjenicë të Zubin Potokut.

Në një njoftim për mediat publikuar në faqen zyrtare të presidencës, thuhet se presidentja Jahjaga u bën thirrje institucioneve të hetuesisë dhe drejtësisë të Republikës së Kosovës dhe EULEX-it që kriminelët që sulmuan ushtarët e KFOR-it dhe lënduan e plagosën 23 ushtarë e oficerë të kapen dhe të marrin dënimin e merituar.

“Aktet e këtilla të shëmtuara kundër misionit paqeruajtës, si akte dhune kundër paqes dhe stabilitetit, duhet të ndërpriten dhe me këtë rast iu bëj thirrje institucioneve të Serbisë të tërhiqen nga involvimi dhe përkrahja e strukturave kriminale në tri komunat e veriut të Kosovës”-thuhet në njoftim. 

Në të presidentja Jahjaga i fton qytetarët e nacionalitetit serb të komunave të Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit që t’i kthehen normalitetit, të heqin barrikadat dhe të lirojnë rrugët për të mundësuar qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave, një parim ky evropian që është në të mirën e të gjithë qytetarëve pa dallim.

Edhe Qeveria e Kosovës e ka dënuar sulmin e armatosur mbi pjesëtarët paqeruajtës të KFOR-it në Jagnjenicë në Zubin Potok. Në një reagim zyrtar thuhet se ky është sulm mbi sundimin e ligjit, rendin dhe lëvizjen e lirë, dhe si i tillë është sulm i dënueshëm.

Qeveria iu dëshiron shërbim të shpejtë ushtarëve të lënduar në këtë sulm, ndërsa fton organet kompetente të ndërmarrin të gjitha masat, që akterët e këtij sulmi të përballen e drejtësi.

 “Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur dhe përkrah vendosjen e plotë të sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e vendit. Prandaj, Qeveria do të jetë në koordinim të plotë me të gjithë faktorët relevantë ndërkombëtarë”, thuhet në deklaratën e Qeverisë.

Ka reaguar edhe kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka dënuar aktin e plagosjes së ushtarëve të KFOR-it nga strukturat kriminale të Serbisë në veri të Kosovës.

Ai ka theksuar se akti i shëmtuar është shprehje e guximit që kanë marrë kriminelët e hazdisur për të sfiduar edhe me armë forcat ndërkombëtare të paqes dhe të sigurisë në Kosovë. Nëpërmjet një deklarate për mediat, Krasniqi ka vlerësuar se ky incident dëshmon për praninë aktive të bandave kriminale atje dhe për rrezikun që ato paraqesin.

Dimensioni i këtyre veprimeve, sipas tij, bëhet akoma më i

 rrezikshëm për faktin që grupet kriminale mbështeten dhe inkurajohen nga Beogradi zyrtar, i cili nëpërmjet të tyre ka arritur të instrumentalizojë edhe një pjesë të qytetarëve serbë në Kosovë. “Plumbat qëlluan vetëm disa ditë pas deklaratës së ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë për ripushtimin e Kosovës, madje pa përjashtuar edhe luftën e armatosur.

Kjo politikë nuk është vetëm përzierje në punët e brendshme të shtetit tjetër, por kërcënim i drejtpërdrejtë i integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit tonë”, ka deklaruar ai.

 “Kjo lojë me zjarrin, por edhe durimi e toleranca duhet të kenë një kufi. Duke qenë Beogradi zyrtar burimi i gjithë problemeve në veri të Kosovës, thërras bashkësinë ndërkombëtare që të ushtrojë ndaj tij ndikimin e saj, për të shpërndarë strukturat ilegale dhe kriminale atje, të financuara dhe të mbështetura nga Serbia, me qëllim të kthimit të rendit dhe sigurimit të jetës së qetë e të lirë për qytetarët”, ka theksuar Krasniqi. (LajmeShqip.com)