Lajme Shqip Tuesday, 22 November 2011 22:18

Ka dështuar mbajtja e sesionit të 38-të të Asamblesë së Përgjithshme Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi, në Tiranë.

Shqipëria, që ka kryesinë e radhës së kësaj organizate, nuk është pajtuar që në tavolinën e delegacionit nga Prishtina të hiqej mbishkrimi, “Republika e Kosovës”, ashtu siç kishte kërkuar përfaqësuesi i Rusisë, njëherazi dhe sekretar i përgjithshem i kësaj organizate.

Në një mbledhje me dyer të mbyllura të Byrosë së Asamblesë së Përgjithshme Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi, dhe më pas edhe të Komitetit Drejtues i përbërë nga kryetarët e delegacioneve të vendeve anëtare, Shqipëria nuk ka rënë dakord me propozimin e përfaqësuesit të Rusisë, që është dhe Sekretar i Përhershëm, për të ndryshuar agjendën e sesionit të Tiranës.

Ndërkohë edhe në faqen zyrtare të kuvendit të Shqipërisë ndonëse nuk jepen arsyet bëhet i ditur fakti i shtyrjes se punimeve te PABSEC-ut.

Në njoftimin zyrtar të Kuvendit të shqiperise thuhet se meqënëse nuk është miratuar draft axhenda e përgatitur dhe paraqitur nga Sekretariati i Përhershëm i PABSEC-ut, dhe në vijim nuk u paraqit një axhendë alternative, Asambleja do të shtyjë punimet e saj.