Lajme Shqip Friday, 22 June 2012 15:54

Tiranë – Dështon sërish mbledhja e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Palët nuk kanë mundur të gjejnë konsensusin për cështjet kyce që kanë të bëjnë me riformatimin e KQZ, procesin e ankimimit si dhe rekomandimet e ODIHR për teknologjinë e zgjedhjeve.

Bashkëkryetari socialist Daminan Gjiknuri ka braktisur mbledhjen pas rezervave që kishte për cështjet që po diskutoheshin. Maxhoranca akuzoi opozitën për bllokim me qëllim, ndërkohë PS deklaroi se të mërkurën do të paraqesë një projekt draft për pikat kyce. 

Bylykbashi: PS bojkoton për të bllokuar punën 
Oert Bylykbashi, bashkëkryetari demokrat në Komisionin e Reformës Zgjedhore, menjëherë pas përfundimit të mbledhjes, akuzoi opozitën se po bllokon qëllimisht punën e reformës zgjedhore në mënyrë që të digjet afati i ri 3 javor që Parlamenti caktoi dje. 

“Sot PS tentoi se duke përdorur ODIHR të bëjë bllokimin e radhës dhe të djegë dhe këtë afat 3 javor. Detyrat janë të qarta dhe askush nuk mund të shkojë përtej procedurave të OSBE/ODIHR. Detyra ishtë që ekspertët të rishikonin dhe  të nxirrnin për miratim të gjithë amendamentet në lidhje me administratët e zgjedhjeve dhe proceduarat ankimore si dhe të reflektohen rekomandimet e ODIHR për teknologjinë. Kjo është e papranueshme, një hiprokizi e radhës e PS”,- deklaroi Bylykbashi. 

Eksperti i PS: S’ka bllokim,  të merkuren vijojmë punën

Ekperti i PS në komision, Bledar Çuçi pas mbledhjes sqaroi se nuk pati bllokim nga ana e opozitës, por vetëm diskutime për cështjet. Ndërkohë, bëri me dije se PS do të paraqesë një projekt draft ditën e mërkurë për të vijuar normalisht punën. 

“Sot komisioni si mbledhjen e parë, kishte si objekt të mandatonte ekspertët për kapitujt e mbetur. Puna është në dy pjesë. Kapitujt që kanë të bëjnë me administratën zgjedhore dhe procedurat e ankimimit. Si dhe me cështje që ka kaluar komisioni dhe ODIHR ka disa komente, që kanë të bëjnë me teknologjinë. Nuk e di pse pati debat dhe unë u shpreha i gatshëm që deri të mërkurën të punojmë për këto cështje. Nuk mendoj se PS po tenton të bllokojë, pati vetëm debate. Unë si ekspert që përfaqësoj interesat e PS në komision them se do paraqesim një projekt apo draft të mërkurën për të vijuar punën dhe nuk besoj se kjo quhet bllokim”,- theksoi Çuçi.

Dje, Parlamenti me propozim të kryetarëve të grupeve parlamentare të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, zotrinjëve Astrit Patozi dhe Gramoz Ruçi, vendosi të zgjasë deri më dt.10 Korrik afatin e reformës zgjedhore.

Dy herë të tjera më parë parlamenti e shtyu mandatin e komisionit i cili u mbyll muajin e kaluar, pa i dhënë fund të gjithë ndryshimeve në kodin zgjedhor. Palët duhet tani të gjejnë konsensus për dy momente kyçe të reformës, që lidhen me procedurat e ankimimit dhe rikompozimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.

Të dyja këto pika konsiderohen nga opozita si tepër të rëndësishme për të garantuar standartet e kërkuara në zgjedhjet e 2013. Shumica nga ana e saj ka dhënë sinjale refuzuese ndaj ndryshimit të anëtarëve të Komisionit qëndror. Realizimi i reformës zgjedhore është një ndër përparësitë kyçe që Brukseli i ka përcaktuar Shqipërisë në mënyrë që ajo të marrë statusin e vendit kandidat. (LajmeShqip.com)