Lajme Shqip Wednesday, 02 September 2015 18:02

Dështimi i privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), Qeverisë së Kosovës do t’i kushtoi miliona euro. “ACP Axos Capital” GMBH, kompania e vetme e shpallur fituese nga Qeveria në vitin 2012, për blerjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së, ka dërguar Qeverinë e Kosovë në arbitrazh, për moszbatimin e kontratës.

Merret vesh se vetëm përfaqësimi profesional dëmton afër 200 mijë euro buxhetin.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa e ka autorizuar Ministrinë e Zhvillimit për inicimin e procedurave për arbitrazh drejtuar institucioneve të Kosovës.

“Për autorizimin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik për inicimin e procedurave të përfaqësimit lidhur me kërkesën për arbitrazh drejtuar institucioneve të Republikës së Kosovës nga kompania “ACP Axos Capital” GMBH, në lidhje me çështjen e privatizimit të Postës dhe Telekomunikacionit “, tha Mustfa.

Këtë e ka bërë të ditur sot, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në mbledhjen e rregullt të qeverisë. Mirëpo në një njoftim të zyrës së kryeministrisë janë dhënë detaje të këtij rasti pasi në mbledhje vetëm është aprovuar autorizimi i MZHE-së që të angazhoj ekspert profesional. Në këtë njoftim të ZKM-së, thuhet se kryeministri për këtë rast ka biseduar edhe me zëvendëskryeministrin, ministrin e Drejtësisë, ministrin e Zhvillimit Ekonomik dhe me ekspertë të tjerë.

“Kemi pranuar vlerësimet se në këtë rast lypset një përfaqësim shumë profesional, në mënyrë që ne të mbrojmë interesin e Buxhetit dhe të Republikës së Kosovës. Propozimi është që të autorizohet Ministria e Zhvillimit Ekonomik për inicimin e procedurave për zgjedhjen e përfaqësimit lidhur me kërkesën për arbitrazh drejtuar institucioneve të Republikës së Kosovës nga kompania “ACP Axos Capital” GMBH, në lidhje me çështjen e privatizimit të Postës dhe Telekomunikacionit” që të obligojmë Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik për zbatimin e këtij vendimi në pajtim me ligjin në fuqi. Këtij vendimi t’i shtohet edhe një pikë, që të obligohet Ministria e Financave që të siguroj mjete të nevojshme për përfaqësim, sepse këto mjete nuk i kemi, dhe që të autorizojmë Ministrinë që për këtë fazë, themi deri në fund të këtij vitit, të sigurohen aq mjete sa do të nevojiten. Një vlerësim është që duhet diku rreth 200 mijë euro të sigurohen në këtë fazë”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të kryeministrit. Po ashtu sipas këtij njoftimi , në qoftë se ka nevojë t’i shtohet edhe një pikë këtij vendimit që Ministria do të përkrahet nga Ministria e Drejtësisë dhe nga Zyra e Kryeministrit në të gjitha këto procedura’”, citohet të ketë thënë Mustafa.

Ndryshe, kompani kishte fituar tenderin për blerjen e PTK-së dhe kishte mbetur vetëm nënshkrimi i kontratës. Qeveria e Kosovës pritet të përballet me padinë e Fondit Investiv “AXOS”, e cila do të kërkon deri në 50 milionë euro për shkak të dështimit të privatizimit të PTK-së.