Lajme Shqip Tuesday, 22 November 2011 12:06

Z. Halili, pse po shpreheni çështjen në fjalë dhe pse nuk jeni shprehur më parë për të.

Së pari unë po shprehem në këtë moment pasi kam pritur për të respektuar dëshminë time para gjykatës. Duhet të shprehesha një herë në gjykatë, do të jepja  njëherë dëshminë atje për të ruajtur çdo sekret që i shërbente kësaj çështje, për t’i shkuar të vërtetës deri në fund. Pas dëshmisë që dhashë në gjykatë tani jam në gjendje të them të vërtetën ashtu siç e thashë dhe atje.

Zoti Halili, si jeni njohur me zotin Prifti dhe cila ka qenë ecuria e marrëdhënies suaj me të qoftë më parë qoftë më pas?

Me zotin Prifti, në mos gaboj, jam njohur në vitin 2003-2004 në Selanik, pasi unë jetoj në Selanik. Nëpërmjet një mikut tim, e kam pritur si mik, me të gjitha ato respekte që pritet një mik dhe ka vazhduar miqësia ime deri në momentet kur Dritan Prifti filloi të abuzonte me miqësinë që kishim bashkë, duke mos respektuar ligjin. Unë nuk i kam kërkuar asnjë nder privat Dritan Priftit dhe me kërkesë të tij kam ardhur në Shqipëri për të investuar. Me kërkesë të Dritan Priftit kam bërë një kërkesë në Ministrinë e Ekonomisë për naftën bruto, e kam protokolluar në dhjetor të vitit 2009 dhe me kërkesë të Dritan Priftit kam hyrë në ankand. Gjithmonë marrëdhëniet e mia me Dritan Priftin kanë qenë mjaft miqësore sa unë kam qenë në shtëpinë e tij. Nuk besoj të mos jesh mik me një njeri dhe t’i shkosh në shtëpi, aq më shumë një ministri ose deputeti.

Si ka qenë çështja e ankandit të datës 1 mars dhe të datës 10 mars, mund të na jepni një shpjegim?

Unë kam marrë pjesë në ankandin e datës 1 mars i përfaqësuar nga persona të autorizuar  të kompanisë time të cilët janë paraqitur në orën dhe në vendin e duhur. Kanë paraqitur të tërë dokumentacionin. E ka pranuar komisioni përkatës për këtë çështje dhe për habi të të gjithëve ata kanë thënë që është anuluar pasi nuk mori pjesë asnjë kompani tjetër. Për këtë do t’ju vë në dispozicion dokumente të protokolluara. Ata na thonë që do të bëhet ankandi tjetër më 10 mars. Të njëjtën gjë pësuam edhe më 10 mars, vajtëm, pranuan dokumentet dhe na thanë që do të anulohet prapë. Kërkuam shpjegim dhe nuk e morëm. Mora pjesë dhe herën e tretë në ankand dhe më thonë: ti zotëri shumë mirë i ke dokumentet por ti ke sigurimin e ofertës me kompani sigurimi ndërsa tjetri e ka me bankë, gjë e cila nuk është në kundërshtim me ligjin. Garancia në të dyja rastet është e njëjtë pasi kompania që lëshon garancinë e ofertës mban përgjegjësi monetare dhe ligjore. Më vonë duke filluar t’i shkruaj deri në fund se cila ishte arsyeja që nuk më jepej, më bie në dorë një dokument që tregonte se ankandi është bërë vetëm për tu tallur me njerëzit dhe për t’i hedhur hi syve të vërtetës. E para më parë është bërë një marrëveshje midis tre kompanive: “Albpetrol”, “Tea construction” dhe “ARMO” dhe për këtë janë dokumentet edhe se sa lekë ka paguar “Tea construction”. Marrëveshja është bërë një muaj përpara ankandit. Ankandet më vonë kanë qenë vetëm false.

Për fituesin e tenderit në korrik a keni njohuri se kush është ai dhe çfarë lidhjesh ka me z. Prifti?

Për hir të së vërtetës, si biznesmen që jam nuk më takon të flas për kolegët e mi. As nuk kam pse ankohem sepse dokumentacionin ta shikojë sektori juridik që merret me ato. Por më rezulton që kompania që ka fituar këtë ankand është pjesëmarrëse në marrëveshjen e datës 10 shkurt 2010, nënshkruese e kësaj marrëveshjes. Ajo është shpallur fituese në mënyrë fiktive sepse ankandi është fituar më parë, pra që më 10 shkurt. E dyta që është skandaloze ka të bëjë me faktin që kompania që ka fituar ankandin, pronari i kësaj kompanie i cili është dhe administratori i kësaj kompanie është ortak me gruan e ish-ministrit dhe ish-mikut Dritan Priftit. Pra ky ankand ishte i parashikuar kështu që Dritan Prifti dhe i jap të drejtë atij për këtë gjë pasi interesat e tij kanë qenë shumë më të mëdha. Ai nuk ka në këtë rast moralin të ushtronte detyrën në bazë të rregullave të ankandit dhe ligjit. Ai ka luajtur atë moral që ka ai vetë, për t’i marrë ato para dhe gjeti mënyrën se si t’i marrë.

Pas anulimit të tenderit a jeni ankuar tek z. Prifti?

Jam ankuar, e kam vizituar në shtëpi por vetëm është tallur dhe ka abuzuar. Dhe kemi përfunduar atje ku jemi edhe sot.

Zoti Halili, a i jeni ankuar te zoti Meta pasi kishit hasur probleme me tenderin?

Me zotin Meta jam takuar rastësisht në muajin qershor të vitit 2010. E kam takuar rastësisht në hotel “Rogner” dhe pasi më ka përshëndetur duke më pyetur si të shkojnë punët, i kam thënë se nuk më shkojnë mirë për arsye se me ministrin e partisë suaj kam këtë dhe atë problem. Ai më ka thënë merre me qetësi, çdo gjë do të rregullohet brenda rregullave dhe kaq. Nuk mund ta shqetësoja më zotin Meta për këtë problem.

Si qëndron e vërteta për 1 milion dollarët?

E vërteta për këtë shumë, ashtu siç e kam dëshmuar edhe në gjyq, në qoftë se do të ishte kaq e thjeshtë sa unë t’i jepja 1 milion dollarë z. Prifti, unë nuk merresha me ankandin fare. Mbaja ato 1 milion dollarë dhe isha në rregull. Nuk besoj se ka një biznesmen në botë që jep 1 milion dollarë për një gjë të tillë. Ne japim para vetëm atje ku kemi detyrimet, në shtet.

Çfarë hapi do të ndiqni ju më vonë për akuzën që është bërë për 1 milion dollarëshin?

Duke pasur parasysh të gjithë këtë abuzim që ka bërë me emrin tim zoti Prifti, me prishjen e imazhit tim, dëmtimin e biznesit, po t’i merrnim për të vërteta të gjitha këto që ka thënë Dritan Prifti në Gjykatë, mua më ka dëmtuar biznesin, më ka prishur imazhin, ka trembur familjen time. Unë nuk kam guxuar deri më sot të shkel në zyrat e biznesmenëve sepse quhesha si një njeri që korruptoja shtetin sipas Dritan Priftit. Që nga ky moment unë do t’i drejtohem organeve të drejtësisë. Do të bëj padi për përfitim të munguar, për dëmshpërblim, për prishje imazhi dhe do ta respektoj Dritanin vetëm për një gjë, do ta filloj te 1 milion dollarëshi që ka thënë ai. Unë i bëj dhe një thirrje zotit Dritan Prifti që nëse ka ndonjë problem apo ndonjë kundërshtim me mua, jam gati të ballafaqohem në çdo media, në çdo institucion. Unë kur vajta në institucionet e Gjykatës së Lartë dhe të Prokurorisë së Përgjithshme, jam gati të shkoj në çdo media dhe këto që them t’i vërtetoj me dokumente dhe t’i vë në dispozicion të çdo televizioni  si dhe çdo shtypi të shkruar apo të pashkruar.