Lajme Shqip Saturday, 16 November 2013 12:04

Prishtinë- Ivan Bulatoviq ishte me gruan në tren. Udhëtimin po e bënte në muajin maj të vitit 1998. Në atë kohë, Bulatoviq ishte komandant i stacionit të policisë në Drenas.

Nga treni dyshohet se atë e rrëmbyen tre pjesëtarë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Më vonë, vrasjen e tij dyshohet se e ka kryer Sabit Geci. Ekzekutimit të Bulatoviqit pretendohet se i ka paraprirë rrahja nga Sahit Jashari.

Kështu shkruan ndër të tjera në aktakuzën e ngritur nga Mauricio Salustro, prokuror i EULEX-it në rastin e quajtur si “Grupi i Drenicës”.

Bulatoviq në aktakuzë përshkruhet si person për të cilin thuhet se ka ushtruar dhunë ndaj popullatës shqiptare.

Në grupin e të akuzuarve bëjnë pjesë pesëmbëdhjetë persona. Në mesin e tyre janë Sylejman Selimi, tash ambasador i Kosovës në Shqipëri e Sami Lushtaku, kryetar i Skenderajt. Të dy ndodhen në paraburgim. Të tjerët janë Nexhat Demaku, kryetar i Drenasit, Fadil Demaku, deputet në Kuvendin e Kosovës. Pastaj janë edhe Jahir Demaku, Zeqir Demaku, Sabit Geci, Sahit Jashari, Ismet Haxha, Agim Demaj, Selman Demaj, Driton Demaj, Bashkim Demaj, Avni Zabeli e Hysni Thaçi.

Në aktakuzë shkruan se pas atij rrëmbimi, trupi i Bulatoviqit nuk u gjet asnjëherë. Ai ende figuron i zhdukur./Tribuna/