Lajme Shqip Tuesday, 08 October 2013 12:36

Tiranë- E përditshmja Dita ka publikuar një raport denoncues, që i është dërguar ambasadës amerikane në vitin 2012 nga Ndriçim Ashiku, ish- shofer i Drejtorit të Uzinës së Mjekësit në Elbasan, Daniel Karanxha.
Ashiku denoncon një rrjet të tërë mafioz me në krye ish- ministrin e Mbrojtjes, Arben Imamin. Megjithatë fijet e këtij rrjeti i tërheq biri i Sali Berishës, Shkëlzeni.
Ashiku thotë se e ka denoncuar në kryeministri këtë skandal, por ka marrë kërcënime me jetë ai dhe familja e tij.
“Drejtori ishte një mik i ngushtë i Arben Imamit, por edhe mik me Flamur Kuçin, që punon në kryeministri dhe njeri i afërt i drejtorit të Klik Ekspo Klik, L. Muhametaj, i cili merret me shitjen e të gjitha lëndëve plasëse dhe municioneve të uzinës. Drejtori është gjithashtu një njeri i besuar i Ndriçim Berishës, drejtor i privatizimeve në Ministrinë e Mbrojtjes, kushëri i Sali Berishës. Pas këtij takimi në kryeministri, u bëra të ditur personave që më pritën se do i drejtohesha edhe ambasadës tuaj dhe që do i denoncoja të gjitha. Pas këtij takimi më vjen një kërcënim i hapur nga deputeti i PD-së në zonën e Peqinit, Dashnor Sula,” thotë Ashiku.
Por si fitohen milionat?
“Loja e abuzimeve është e ndërtuar në këtë mënyrë: nga baza logjistike ku komandant ishte gjeneral Gjunkshi, në çdo poligon vendosen njerëzit e tyre, ku bëjnë furnizime me kamionë të municioneve. Por në të vërtetë, që në ngarkesën e tyre në tunele, bëjnë seleksionimin e municioneve me metale me ngjyra dhe pa ngjyra, në fishekë bronzi, në predha me unaza bakri dhe këto grumbullohen në uzinë për demontim me shkrirje dhe për shitje municioni jashtë vendit. Kurse metali i shkrirë shitet nga uzina si skrap i thjeshtë me çmimin 340 lekë të vjetra, por në të vërtetë bakri dhe bronzi kanë një çmim real prej 6.7 mijë lekë të vjetra”.
Por si del emri i Shkëlzenit në skenë?
“Në raste të përsëritura e kam dërguar drejtorin në një lokal në periferi të Tiranës, i quajtur “Sofra e Ariut”, ku ai zhvillonte kryesisht takime me biznesmenë të huaj, por është për t’u theksuar se në këtë lokal drejtori mbante dhe disa takime që i quante veçanërisht të rëndësishme. Po ju përmend një prej tyre. Pas një takimi me disa biznesmenë të huaj, që nuk i njoh, e pyes drejtorin se si shkoi takimi. Ai më thotë se: “Këta që unë takova sot, kanë ardhur me porosi të Imamit dhe të Shkëlzenit”. E theksoj se në shumë takime me të huaj, drejtori përmendte emrin e Shkëlzen Berishës. Më gjatë nuk di”./ep