Lajme Shqip Monday, 05 August 2013 15:19

Prishtinë – Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar se Ligji për Amnisti është duke u shqyrtuar në këtë institucion dhe se më së largu më 16 shtator do ta kenë gati përgjigjen.
Nëpërmjet një përgjigje me shkrim, Gjykata ka njoftuar se lënda që ka ardhur nga deputetët e Vetëvendosjes do të shqyrtohet në bazë të Ligjit dhe rregulloreve të këtij institucioni.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës është në fazën shqyrtuese të kërkesës për Ligjin e Amnistisë, dhe se Vendimi do të merret brenda afatit ligjor dhe në përputhje me nenin 43.3 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, si dhe Rregulloren e punës së Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës, shkruan Express. 
Sipas nenit 43.3 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese precizohet se ky institucion obligohet që nxjerr vendimin mbi kontestin, jo më vonë se gjashtëdhjetë ditë, pas dorëzimit të kërkesës.
Kërkesa e Lëvizjes Vetëvendosje është dorëzuar në Gjykata para tetëmbëdhjetë ditësh dhe sipas llogarive del se vendimi për Ligjin për Amnisti do të publikohet më së largu më 16 shtator.
“Sapo të merret vendimi, Gjykata Kushtetuese do t’ju informojë me kohë ju dhe opinionin për këtë, dhe Vendimi do të publikohet edhe në ueb-faqen zyrtare të Gjykatës”, thuhet më tej në përgjigje.
Ndryshe Ligji është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 11 korrik me 90 vota për dhe 17 kundër.
Tetë ditë më vonë, deputetët e Vetëvendosjes të mbështetur edhe nga deputetë të Lëvizjes për Bashkim kanë kontestuar kushtetutshmërinë e këtij ligji.
Sipas Vetëvendosjes, me miratimin e Ligjit janë shkelur neni 31, 32. dhe 24, nene këto që flasin për gjykim të drejtë, të drejtën e palëve për t’u ankuar dhe barazinë para ligjit.