Lajme Shqip Tuesday, 06 November 2012 10:20

Prishtinë – Ndërtimi i shtetit juridik në Kosovë është angazhimi më i madh dhe më i shtrenjtë në historinë e Bashkimit Evropian. I ashtuquajturi Mision i EULEX-it me 2500 punëtorë ka kushtuar nga viti 2008 mbi një miliard euro. Sipas një raporti të Gjykatës së Auditorëve të BE-së, sukseset pothuajse mungojnë. Niveli i krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetet i lartë, drejtësia është joefikase dhe vuan nga ndërhyrjet politike. Një polic gjerman, i cili prej vitesh i njeh rrethanat në Kosovë, konfirmon raportin në bazë të përvojave të tij në Kosovë. Për arsye që ndërlidhen me Ligjin mbi shërbyesit civilë (në Gjermani), ai këtu shkruan anonim. – DER SPIEGEL

 “Ndërtimin e Policisë në Kosovë unë e krahasoj me termocentralin e Obiliqit afër Prishtinës. Prejse NATO-ja i ka përzënë serbët nga Kosova në vitin 1999, në këtë termocentral duhet të montohet një filtër. Deri më sot kjo nuk është arritur të bëhet. Termocentrali ende pandërprerë vjell helm në ajër. Njëjtë është edhe puna me Bashkimin Evropian, i cili bën përpjekje që në Kosovë të ndërtojë një sistem të pastër shtetëror dhe një sistem funksional juridik.

Unë e njoh Kosovën tashmë dhjetë vjet dhe, sipas mendimit tim, ne gjatë kësaj kohe nuk kemi arritur pothuaj asgjë. Më së shumti jam i zhgënjyer me policinë. Me gjithë trajnimin intensiv disavjeçar dhe furnizimit me pajisje, të cilat u përgjigjen standardeve evropiane, zyrtarët policorë më shumë janë të interesuar të kryejnë kontrolle me radarë në komunikacion sesa të luftojnë kriminalitetin. Për t’i ndjekur shoferët që ngasin shpejt veturat nuk duhet të lëvizësh vendi; mjafton të rrish rehatshëm në veturën e ngrohtë patrulluese.

Kam përshtypjen se korrupsioni në mesin e policëve kosovarë është tepër i lartë. Kam marrë raporte, sipas të cilave, nëse dikush zbulohet se nget një veturë të vjedhur, atëherë mjafton ta korruptosh policin – dhe puna kryhet.

Kriminelët e mëdhenj edhe ashtu nuk i prek askush. Këtë e pamundësojnë strukturat tradicionale klanore dhe lidhjet e vjetra të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), nga radhët e së cilës janë rekrutuar shumë policë. Këta nuk janë të gatshëm të ballafaqohen me kritika se gjoja janë tradhtarë dhe mbase nuk i hetojnë komandantët e tyre të dikurshëm, të cilët janë pasuruar nga tregtia me drogë.

Këto rrjete i mbron një mur i heshtjes, nëpër të cilin ne si policë nuk mund të depërtojmë. Në realitet ne as për së afërmi nuk e dimë se çfarë po ndodh këtu. Nga njëra anë qyteti i Ferizajt konsiderohet si qendra më e madhe e tregtisë me drogë në Ballkan, nga ana tjetër këtu ne pothuaj asnjëherë nuk konfiskojmë sasi të mëdha droge.

Një gjë është e qartë: Kosova është kapur fort nga krimi i organizuar. Mjafton të shikohet vetëm numri i madh i pompave të benzinës dhe qendrave tregtare, të cilat pothuaj nuk kanë klientë. Këtu vetvetiu lind dyshimi se ato i shërbejnë vetëm spastrimit të parave. Po ashtu gjithkund ndërtohen godina të reja banimi, ndërsa numri i veturave luksoze është shumë më i madh se në Maqedoninë fqinje, ndonëse atje të ardhurat për kokë banori janë dukshëm më të larta.

Para disa javësh u arrestuan kryetari i Kuvendit Komunal të Prishtinës dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës. Thuhet se ata i kishin premtuar një biznesmeni të ndërtimtarisë troje në një zonë të mbrojtur dhe si kundërshpërblim kërkonin ryshfet dhe vetura të shtrenjta. Kjo çështje u bë publike vetëm pasi nuk ishte dhënë leja për ndërtim – derisa personat e përmendur dëshironin t’i mbanin veturat.

As drejtësia nuk funksionon fare. Shumë vende pune janë të zbrazëta ose zyrtarët ndërrohen vazhdimisht. Disa gjykatës refuzojnë të merren me lëndë të caktuara. Së fundi kam dëgjuar nga disa kolegë se një kriminel lufte, i cili është dënuar me 15 vjet burg, është parë duke ngrënë drekë në Prishtinë me njërin prej politikanëve të rangut të lartë.

Këtu konsiderohet sukses nëse së paku ngrihet aktakuzë kundër ndonjë ish-pjesëtari të UÇK-së për shkak të krimeve të luftës. Shembull për këtë është Fatmir Limaj, një politikan i popullarizuar i partisë qeverisëse dhe deputet, madje ai një kohë ka qenë edhe ministër. Ai u fajësua se si komandant i UÇK-së kishte qenë përgjegjës për torturimin dhe vrasjen e shtatë serbëve dhe një kosovari. Një dëshmitar i rëndësishëm, i cili me qëllim që të mbrohej ishte sjellë në Gjermani, në shtator 2011 vrau veten në Duisburg. Një gjykatë e shpalli Limajn të pafajshëm.

Kosova është një vend ku vazhdojnë të mbijetojnë tradita të vjetra disa shekuj – dhe pjesë e kësaj kulture është gjakmarrja. Ne evropianët nuk kemi arritur t’i bindim kosovarët mbi sistemin e ri, perëndimor të drejtësisë dhe të vlerave. Ata po e shohin se strukturat e vjetra edhe më tutje janë të pushtetshme dhe institucionet shtetërore të dobëta. Unë frikësohem se kosovarët do të presin derisa ne të largohemi. Bash ashtu si talibanët që presin largimin e trupave perëndimore nga Afganistani.

Megjithatë, asnjëri nga përgjegjësit e Misionit EULEX nuk e thotë të vërtetën në Bruksel. Nga Kosova ata dërgojnë vetëm raporte të zbukuruara, të ashtuquajtura ‘okay-reportings’. Ndoshta duhet ta bëjnë këtë për të ruajtur postet e tyre dhe për të punuar më tutje në misione ndërkombëtare. Por kjo nuk i ndihmon Kosovës”.(K.D)