Lajme Shqip Thursday, 16 February 2012 18:45

TIRANË – Goditet me grusht përpara Kuvendit të Shqipërisë deputeti demokrat Ilir Rusmajli. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm, pak përpara fillimit të seancës plenare, ndërsa Rusmajli ishte nisur për të marrë pjesë në të.

Burime policore thanë për Shqiptarja.com se, Lirak Petrit Bejko, 47 vjeç, një ish i përndjekur politik ka goditur me grusht deputetin demokrat, pak përpara se të niste seanca në Kuvend.

Një grup ish të përndjekurish ishin mbledhur përpara selisë së shoqatës, pak metra larg selisë së seancave plenare dhe po bënin homazh për Grigor Zaharinë, një ish i përndjekur,  i cili prej 20 ditësh ka mbetur në morgun e Tiranës, pasi nuk ka të afërm për ta varrosur. Arkivoli me trupin e Zaharisë ishte vendosur në oborrin pranë selisë së shoqatës, ndërsa vetë ish të përndjekurit shprehën indinjatën për shtetin që nuk u kujdes të paktën për varrimin e Zaharisë.

Në këtë moment deputeti Rusmajli ka zbritur nga makina e tij për të marrë pjesë në seancën plenare të së enjtes. Burimet rrëfejnë se 47 vjeçari Bejko i është afruar deputetit demokrat, i cili nuk ka shprehur interes për protestën e ish të përndjekurve dhe e ka goditur atë.

Bejko është arrestuar nga forcat policore të komisariatit numër 1 në Tiranë. Gjithashtu, të njëjtat burime bënë të ditur se në pranga ka përfunduar edhe Gjergji Ndreca.

Ky i fundit ka kundërshtuar dhe është përplasur me forcat e policisë, të cilat po arrestonin 47 vjeçarin. Ndreca nuk ka dashur të lejojë arrestimin e Bejko-s e për pasojë është prangosur nga blutë e komisariatit numër 1. Shqiptarja.com