Lajme Shqip Monday, 15 August 2011 09:13

Shkodër – Deputetë të Partisë Socialiste të Qarkut Shkodër, si dhe pjesëtarë të tjerë të grupit parlamentar socialist, të shoqëruar edhe nga kryetarja e Partisë Socialiste të qytetit të Shkodrës, Keti Bazhdari, bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule dje pranë arkivolit të trupit të pajetë të kolegut të tyre demokrat, Gëzim Dibra.

Në një prononcim për mediat, deputeti Namik Dokle tha se deputetin Gëzim Dibra e kemi njohur si një njeri të respektuar. “Prandaj, një grup deputetësh dhe drejtues të Partisë Socialiste kemi ardhur për ta respektuar, për të bashkuar ngushëllimin tonë me gjithë popullin e Shkodrës, për familjen e deputetit Dibra, për të shprehur respektin për punën e tij të ndershme, për mirësinë që ai ka treguar, jo thjesht në Parlament, por edhe gjatë të gjithë jetes së tij”, u shpreh deputeti socialist Namik Dokle.

Edhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, e shoqëruar nga deputetët e qarkut të Shkodër, si dhe deputetë të tjerë të Parlamentit shqiptar, bëri homazhe në nderim të deputetit Gëzim Dibra, i cili u nda nga jeta ditën e premte në Milano të Italisë, ku kurohej prej rreth tetë muajsh në luftë me një sëmundje të rëndë dhe të pashërueshme.

Në një prononcim për mediat, pas homazheve të kryera në hollin e bashkisë së Shkodrës, zonja Topalli tha se “Gëzim Dibra ishte një koleg i shkëlqyer, një bashkëshort fisnik, një baba jashtëzakonisht i dashur, një njeri i ndershëm, një deputet demokrat shumë i përkushtuar dhe i dedikuar, ndër deputetët me integritet shumë të lartë”.

“Si kryetare e Parlamentit kam humbur një deputet të ndershëm, Shkodra ka humbur një deputet që mendonte për qytetin dhe që punonte për të”, përfundoi zonja Topalli.