Lajme Shqip Thursday, 19 May 2011 19:50

Prishtinë – Masakra në Burgun e Dubravës e kryer nga forcat serbe në maj të vitit 1999 ka qenë tema qendrore e debatit në Kuvendin e Kosovës, dhe pika që ka krijuar kompromis tek të gjitha grupet parlamentare. E përbashkëta e qëndrimit të të gjithë deputetëve ka qenë që kjo masakër të zbardhet dhe kriminelët të vihen para drejtësisë, kudo qofshin ata, në Kosovë apo në Serbi.
Ligjvënësit e kanë konsideruar këtë masakër si një pasqyrë të qartë të synimeve të shtetit serb mbi Kosovën.
Edhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi në një deklaratë për media ka thënë se kjo e vërteton përgjegjësinë direkte shtetërore të Republikës së Serbisë për masakrat e kryera në Kosovë.
Edhe Ardian Gjini, shef i Grupit Parlamentar të partisë opozitare AAK, ka thënë se kjo ishte një ndër masakrat më të mëdha që nga Lufta e Dytë Botërore.
Derisa debati për këtë masakër ka zgjatur për disa orë, ligjvënësit nga komuniteti serb nuk kanë dashur të jenë pjesë e këtij debati, përjashtuar dy deputetë që janë parë në seancë.
Zëvendëskryeministri Kuçi ka thënë se në një debat të tillë duhet të marrë pjesë secili deputet dhe ta dëgjojë të vërtetën.

Debati për masakrën në Burgun e Dubravës është iniciuar nga deputeti i PDK-së, Nait Hasani, i cili është edhe njëri prej të mbijetuarve të kësaj masakre, ndërkaq ai ka paraqitur edhe rekomandimin që Kuvendi të kërkojë nga prokuroria dhe gjyqësia të përshpejtojë procedurat gjyqësore për ngritjen e aktakuzës me qëllim të dënimit të kriminelëve të luftës.