Lajme Shqip Thursday, 17 September 2015 08:32

Kuvendi i Kosovës do të nisë sot sesionin e ri të vjeshtës dhe që në seancën e parë plenare priten debate të nxehta parlamentare, siç është paralajmëruar, për marrëveshjet e nënshkruara më 25 gusht në Bruksel, në kuadër të procesit për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi që u nënshkrua në Vjenë.

Sipas rendit të ditës që e ka propozuar Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në seancën e parë plenare të sesionit vjeshtor të Kuvendit të Kosovës, deputetët do të ballafaqohen me Qeverinë e Kosovës dhe me kryeministrin e saj, Isa Mustafa, për 4 marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel në kuadër të dialogut me Serbinë. Pra, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, do të raportojë para deputetëve lidhur me pakon e marrëveshjeve të nënshkruar më 25 gusht në Bruksel, në kuadër të procesit për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Partitë opozitare e kanë kundërshtuar ashpër këtë mënyrë të sjelljes së qeverisë dhe kryeministrit me Kuvendin e Kosovës, duke e quajtur të pakuptimtë raportimin e kryeministrit, i cili nuk është konsultuar fare me Kuvendin e Kosovës para se të vendoste firmën e tij në këto marrëveshje.

Një kundërshtim të ashpër opozita i ka bërë marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, pasi sipas saj, me ketë Kosova po e humb sovranitetin e saj dhe po krijohet një mini shtet serb në Kosovë.

Opozita madje të mërkurën në një konferencë për media ka bërë të ditur se i ka bashkuar forcat që të kundërshtojë marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe procesin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Përfaqësues të opozitës kanë bërë të ditur se do të fillojë nënshkrimi i një peticionin në të gjitha qytetet dhe fshatrat e Kosovës për të kundërshtuar veprimet e këqija të Qeverisë Mustafa. Madje edhe kanë kërkuar shkarkimin e kësaj qeverie.

Rikujtojmë se delegacioni kosovar dhe ai serb, të kryesuar nga dy kryeministrat Isa Mustafa dhe Aleksandar Vucic, më 25 gusht në Bruksel kanë nënshkruar në pako katër marrëveshje: Marrëveshja për Asociacionin e komunave serbe, atë për telekomunikacionin, për energjetikën, si dhe marrëveshjen për heqjen e barrikadës mbi lumin Ibër.

Në seancën e sotme plenare, pas raportimit të Isa Mustafës, do të ketë edhe një interpelancë me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi.

Më pas do të shqyrtohen projektligjet që kanë të bëjnë me letërnjoftimin dhe treguesit gjeografikë dhe emërimet e origjinës.

Po ashtu gjatë seancës pritet të emërohen anëtarët e Këshillit për Ndihmë Juridike Falas dhe anëtarët e Komisionit për Kërkesa Pronësore.

Në rendin e ditës të seancës plenare është paraparë edhe përzgjedhja e një anëtari të Bordit të RTK-së nga komuniteti serb.