Lajme Shqip Friday, 18 November 2011 18:30

Prishtinë – Një grup i deputetëve të Parlamentit Britanik ishte sot në Mitrovicë, ku biseduan me drejtuesit e komunës për gjendjen në këtë qytet dhe për sfidat me të cilat ballafaqohen banorët e tij.

Nënkryetari i komunës, Riza Haziri, tha se strukturat paralele serbe janë duke e mbajtur nën presion popullatën në veri, duke mos e lejuar që të integrohet në institucionet e Republikës së Kosovës. “Si pasojë e mungesës së rendit dhe ligjit në veri, kemi një situatë kaotike, që është duke sfiduar si institucionet vendore, gjithashtu edhe ato ndërkombëtare”, shtoi ai.

Ai tha se komuna dhe institucionet e Republikës së Kosovës kanë një qasje gjithpërshirëse për të gjithë qytetarët pa dallim të përkatësisë së tyre etnike, mirëpo ndikimi dhe roli i madh i Serbisë tek qytetarët serbë të veriut është duke penguar normalizimin e situatës.

Sipas zyrës së shtypit të komunës së Mitrovicës, deputetët britanikë, të cilët shoqëroheshin edhe nga ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, u interesuan edhe për raportet e komunës me KFOR-in si dhe organizmat e tjerë ndërkombëtarë në Kosovë.

Deputetët britanikë, pas takimit në komunë, vizituan urën e Ibrit, ku panë së afërmi barrikadën e vendosur nga serbët në këtë urë.